Hapen qendrat e votimit në Maqedoni

278

Tanimë janë hapur qendrat e votimit ku dhe filluan zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare në Maqedoni

Në listën zgjedhore të regjistruar për votim janë 1.784.416 shtetas të Republikës së Maqedonisë të moshës madhore. Zgjedhjet zhvillohen në 3.480 qendra votimi në gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni dhe 46 qendra votimi në njësinë e shtatë zgjedhore që mbulon diasporën, ku të regjistruar për votim janë 20.573 qytetarë të cilët gjatë ditës së djeshme patën mundësinë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

Fushata zgjedhore, e cila zgjati 20 ditë, filloi më 21 nëntor dhe përfundoi më 9 dhjetor në mesnatë. Sipas legjislacionit zgjedhor të Maqedonisë, të drejtën e votimit gjatë ditës së djeshme e shfrytëzuan diaspora, personat e sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, si dhe të burgosurit dhe personat në paraburgim.

Në zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista me 1.092 kandidatë.

Deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë zgjidhen në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë në mandat prej 4 vitesh. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2009, krahas gjashtë njësive zgjedhore në Republikën e Maqedonisë, zgjedhjet zhvillohen edhe në njësitë e reja të formuara jashtë vendit: njësia zgjedhore 7 që përfshin Evropën dhe Afrikën, njësia zgjedhore 8 për Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe njësia zgjedhore 9 për Australinë dhe Azinë. Me këtë, numri i deputetëve të Kuvendit është rritur për tre dhe numëron 123.

Procesi zgjedhor në këto zgjedhje parlamentare përmban disa risi, ndër të cilat më spikatëse është vendosja e fotografive në listën zgjedhore. Në përdorim ngelet spreji pa ngjyrë që mund të shihet vetëm me llambën ultravjollcë. Fletëvotim i vlefshëm do të konsiderohet ai në të cilin është rrumbullakuar numri rendor ose bartësi i listës, ose simboli i koalicionit apo partisë.

Ndryshe, zgjedhjet e sotme parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor janë rezultat i marrëveshjes ndërmjet liderëve të katër partive politike kryesore në vend të cilat pas negociatave të gjata më 31 gusht ranë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim që vendi të dalë nga kriza politike.

Comments