Hapet çerdhja “Bambi” në Çair, ka kapacitet për 350 fëmijë

90

Zyrtarët e prenë shiritin për hapjen e çerdhes “Bambi” në Çair, e më pas disa fëmijë u ulën në bankat e reja.

Ky kopsht do të mirëpresë fëmijët nga mosha 9 muaj deri 6 vjet, dhe përveç grupeve në gjuhën shqipe do të ketë edhe në gjuhën turke dhe boshnjake.

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti paralajmëroi se shumë shpejtë do të hapen edhe dy çerdhe të reja në Çair.

“Kjo ka kushtuar diku 2 milion euro, janë ndarë nga Qeveria edhe mbi 3 milion e gjysëm euro për ndërtimin e të njejtave, për të shkuar në histori barakat dhe ndërtesat e vjetra komuniste në Çair”, tha Izet Mexhiti – zëvendëskryeministër i parë.

“Si qeveri dhe ministri mbetemi të përkushtuar që çdo fëmijë të ketë qasje dhe përkujdesje në arsim cilësor, pa marrë parasysh nëse jeton në qytet apo vjen nga ndonjë fshat i vogël”, u shpreh Fatmir Limani – ministër i Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë.

Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu theksoi se politika e tyre arsimore fokusohet te projektet konkrete që kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë. E drejtoresha e çerdhes “Fidani” Gëzime Bakiu siguroi prindërit që fëmijët e tyre do të jenë në një ambient të sigurt.

“Ky investim është një përgjigje konkrete ndaj nevojave reale të një territori me rritje të shpejtë urbane dhe sociale siç është Çairi”, potencoi Visar Ganiu – kryetar i Komunës së Çairi.

“Ky objekt i kopshtit Fidani ka kapacitet prej 350 fëmijë me 21 klasa të ndërtuara dhe të pajisura sipas standardeve moderne evropiane ku çdo detaj është menduar për të ofruar kushte sa më të sigurta edukative dhe të ngrohta për fëmijët tanë”, theksoi Gzime Bakiu – drejtëreshë e çerdhes.

Ndryshe gurthemeli i kësaj çerdhe u hodh më 25 dhjetor 2020, kurse është dashur të hapet në nëntor të vitit të 2024-tës.

Comments