Hapja e kalimit kufitar Llojan-Miratoc, në pjesën e parë të 2020-tës

Ratifikimi i Marrëveshjes për hapjen e vend-kalimit kufitar Llojan-Miratoc e kaloi fazën e parë, në komisionet përkatëse parlamentare, pas çka mbetet të kalojë edhe në seancë plenare. Pritet që ratifikimi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Serbisë të rrumbullakohet deri në fund të vitit, me qëllim që vitin e ardhshëm pika e përbashkët kufitare të funksionojë si vend-kalim kufitar lokal dhe vetëm pasi të mbarojnë punimet infrastrukturore, pas rreth 3-5 vitesh të funksionojë edhe si vend-kalim kufitar ndërkombëtar.
Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje fillon edhe faza e radhës, do të thotë nënshkrimi i Protokollit ndërmjet dy ministrive të punëve të brendshme të dy shteteve, ku do të përcaktohen rregullat për hapjen e pjesës së parë, përkatësisht pjesës për kalim lokal, të caktohet vendi ku do të vendoset zyra që do të përdoret prej dy shteteve. Në momentin që do të furnizohet me energji elektrike, me linjë telefonike dhe të gjitha nevojat tjera, do të fillojë faza e parë e realizimit. Shpresoj që të bëhet në pjesën e parë të vitit 2020. Ndërsa faza e dytë është më e komplikuar – deklaroi Luftim Spahiu, Komisioni për hapje të vend-kalimeve kufitare, Ministria e Jashtme.
Spahiu shtoi se përskaj vullnetit të deritanishëm të Maqedonisë së Veriut, Serbia kishte refuzuar të hapte vend-kalimin deri në mbajtjen e takimit rajonal “Mini-Shengeni Ballkanik”. Kreu i Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Milloshoski tha se hapja e vend-kalimit është i rëndësishëm edhe për zhvillimin ekonomik.
Përveç për popullatën lokale, hapja e vendkalimit kufitar mund të ketë ndikim pozitiv edhe për ekonominë e rajonit, derisa mos-hapja e kalimit-kufitar e kufizonte dhe kishte pasoja negative – u shpreh Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.
Hapja e vend-kalimit do të financohet nga Norvegjia, e cila ndan rreth 2.438 000 euro. Maqedonia e Veriut nuk do të ketë shpenzime shtesë, pos mirë-mbajtjes teknike.
Anesa Salihu