Haradinaj i kërkon Kurtit përfshirje të SHBA-së në dialogun me Serbinë

456

Me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka nisur konsultimet kryeministri Albin Kurti.

Takimi me Haradinajn është në kuadër të takimeve të paralajmëruara nga kreu i Ekzekutivit me partitë opozitare për, siç është thënë, “koordinim në çështje të interesit nacional”.

Pas takimit rreth njëorësh, kryetari i AAK-së, tha se Kurtit ia ka renditur një varg shqetësimesh lidhur me dialogun me Serbinë.

E në mesin e së cilave edhe atë për mos prezencën e Amerikës në këtë proces.

“Mendojmë që kjo është një situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancin e interesave të Kosovës në dialog e shohim në dobi emërimin e një emisari për dialogun nga Amerika, nga presidenti Biden, ta ngarkon dikë që të përfaqësoj Amerikën në temën e dialogut”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj kryeministrit Kurti i është ankuar edhe për agjendën e bisedimeve në Bruksel.

“Është pak shqetësuese se ka një konfuzion në agjenda në disa raste disa zhvillime përcaktohen si agjendë e procesit të Berlinit, çështja e lëvizjes së qytetarëve me Bosnjës e në rastet e tjera si proces teknik i dialogut. Shohim që peshën kryesore e ka Lajcak por që është një nivel i ulët i përfaqësimit për agjendë nuk janë liderët nuk shihet një agjendë e plotë”, ka shtuar Haradinaj.

Takimin me Kurtin, ish-kryeministri tha se e ka kërkuar që nga 6 maji, përmes një letre ku, ndër të tjera, ka përmendur edhe shqetësimet e shpalosura të martën.

Por letrën e Ramush Haradinajt nuk e ka përmendur askund Qeveria e Kosovës në komunikatën e lëshuar pas takimit.

“Takimit të sotëm me Hardinajn i ka paraprirë ftesa që kryeministri Kurti ua ka dërguar tre liderëve të partive opozitare, me qëllim të informimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje me interes të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar vazhdimisht se për çështjet me interes nacional do të konsultohet dhe do të kërkojë bashkëpunim të mirëfilltë me partitë dhe liderët opozitarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti do të takohet edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ftesën për një takim të tillë e ka refuzuar Enver Hoxhaj i PDK-së.

Comments