Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka shtruar një iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame, myftiut Naim Tërnava, e ku të pranishëm ishte i gjithë kabineti qeveritar.
Duke uruar besimtarët myslimanë, Haradinaj ka thënë se cilësitë e Ramazanit duhet të shërbejnë për t’u tejkaluar vetja për të mirën e përbashkët, përcjell lajmi.net.
“Si vazhdimësi e traditës, sonte kam shtruar iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij. Cilësitë më të mira njerëzore që vijnë në shprehje gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, le të na shërbejnë që ta tejkalojmë veten për të mirën e përbashkët, fuqizimin e shtetit tonë dhe ruajtjen e vlerës sonë të rrallë dhe të dëshmuar të tolerancës ndërfetare. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë, ju dëshiroj agjërim të lehtë edhe përgjatë ditëve të mbetura të Ramazanit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në fotografitë e publikuara në Facebook, shihet se prezent ka qenë edhe presidenti, Hashim Thaçi. /Lajmi.net/