Historia e importit të plehrave në Shqipëri…
Nga Blendi Fevziu –
Votuesit janë budallenj!
Këta njerez nuk meritojnë as t’ju thuash të vërtetën!
Shqiptarët i gënjën dhe manipulon kollaj.
Këto janë padyshim tre postulatet mbi të cilët është ngritur ligji për importin e mbetjeve të riciklueshme, ose ligji i importit të plehrave sic jemi mësuar ta quajmë rëndom.
Vështirë që një rast tjetër të ilustrojë më mirë se sa ky papërgjegjshmërinë e politikës në raport me publikun dhe tentativën e saj për ta manipuluar atë.
Historia është shumë më thjeshtë dhe më e lehtë për t’u rikujtuar. Riciklimi i mbetjeve, përmes gjithë formave të tyre ka nisur në Shqipëri që në fillim të viteve ’90. Pra, me djegie, groposje, depozitim apo cdo lloj forme tjetër. Dokumenti më i vjetër i doganave që është bërë publik tregon se që në vitin 1993 në Shqipëri importoheshin mbetje nga Italia dhe më pas ricikloheshin në Shqipëri. Në disa investime ende modeste, por që më siguri kishin kosto shumë më të ulët dhe më pak rregulla ndotjeje se sa në Italinë fqinjë. Në vitet 2003 – 2004 nisi të marrë formë një projekt gjigand për riciklimin dhe eleminimin e mbetjeve në Shqipëri. Projekti i propozuar nga një biznesmen italian, Francesko Beketi, synonte shkatërrimin e mbetjeve shqiptare, por që të ishte fizibël, duhej të importonte edhe mbetje nga Italia që vinte në punë gjithë kapacitetin e impiantit të tij. Propozimi i Beketit që u aprovua nga Qeveria, hasi në kundërshtimin e një pjese të politikës shqiptare, plus të shoqërisë civile dhe medias. U fol për miliona euro, por në fund, u bllokua. Kundër tij u bashkua, Berisha në Opozitë, Rama në krye të Bashkisë e madje edhe Kokëdhima me gazetën Shekulli. Në mungesë të një impianti modern, importi vijoi normalisht dhe askush nuk dinte të thoshte tamam se cfarë futej dhe përpunohej në Shqipëri, në kaosin që gjendet tek ne.
Më 2008 mediat franceze njoftuan se në Shqiperi kishte hyrë një sasi mbetjesh radioaktive tejet të rrezikshme. Fati dhe destinacioni tyre mbeti i panjohur atëherë dhe sot. Nisur nga ky rast dhe sinjale te tjera, Qeveria vendosi ta kufizojë importin e plehrave, ose së paku ta vendoste atë në baza ligjore. Për këtë u hartua një ligj në vitet 2010 – 2011 që parashikonte menaxhimin e mbetjeve dhe kufizimin e importit në vetëm 45 zëra. Pra ishte një lloj limitimi për importin pa kufi që kishte qenë deri atë ditë.
Po në atë kohë, shoqëria civile dhe Opozita, vendosën ta modifikojnë ligjin. Ata kërkuan që importi të ishte zero dhe për këtë u bë një debat i fortë publik. 3 emisione rresht në Opinion kanë përplasur Besnik Baren, Ardian Klosin, Blendi Kajsiun, Blendi Klosin, Kozara Katin, Sazan Gurin, Fatos Lubonjën e te tjerë me drejtues të Ministrisë së Mjedisit. Kërkesa ishte zero import. Po në studion e opinion, përfaqësuesit e industrisë së riciklimit akuzuan opozitën se po godiste biznesin e tyre dhe se kjo ishte fatale për ta. Argumenti i opozitës ishte se importi në kushtet e doganave shqiptare mund të kthehej në fatal për shëndetin e popullatës. Midis biznesit dhe qytetarëve, ajo deklaroi se zgjidhte qytetarët. Kur ligji kaloi, PS vendosi bashkë me shoqërinë civile të kërkojë referendum. Tavolinat e mbledhjes së firmave u vendosën në cdo qytet dhe shumë vetë mund të kujtojnë Blendi Klosin apo Saimir Tahirin që rrinin pranë tyre duke kërkuar firma qytetarësh. U mblodhën 65 mijë të tilla dhe referendumi u vendos në dhjetor 2013. Në 22 shtator 2013 Kryeministri Rama e konsideroi importin e plehrave një aksion të ndaluar për qeverinë e tij. Ai nxorri vendimin e parë të qeverisë për këtë gjë dhe e kaloi në Parlament. Referendumi ra sepse humbi objektin e tij.
3 vjet më pas, Rama u kthye në atë vendim që ja kishte kundërshtuar Berishës, kushtet janë po ato. Edhe atëherë dihej që ky vendim e vdiste industrinë e riciklimit; edhe atëherë dihej që importi nuk ishte problem ligjor, por pamundësi për ta zbatuar atë si duhej; edhe atëherë frika për kontrollin e importeve ishte po kjo?! Atëherë përse vendosi ta kthejë Qeveria një ligj që e kishte kundërshtuar publikisht? Përgjigja ende është e paqartë! Një analizë të con në atë që ose industria e riciklimit ka bërë një lobing të tillë që vlen më shumë se 65 mijë firmat e mbledhura nga PS për referendumin ose në ditët në vijim priten investime të mëdha të huaja që mund të kthejnë Shqipërinë në vendin e riciklimit të plehrave të gjithë Europës. Llogjikë tjetër nuk gjen në këtë vendim. Natyrisht, PS mund ta merrte këtë vendim, por ajo duhet të nxjerrë sërish ministrat në rrugë dhe t’ju kërkojë qytetarëve që në një referendum të mundshëm të votojnë pro importit të plehrave sepse kështu i intereson tani.
Blendi Fevziu