Hoti: Me Serbinë ose merremi vesh brenda disa muajsh, ose vazhdojmë si dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën

412

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë që vetmja zgjidhje për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, është njohja reciproke.

“Kur e kemi marrë mandatin, kam punuar me një ekip dhe bashkë me partnerët tanë të koalicionit që të vendosim disa parime të qarta për procesin e dialogut; e para pse po hyjmë në këtë proces. Pra, hyjmë vetëm për njohje reciproke”.

Sipas tij, tjetra pikë që duhet të merret parasysh si parim i arritjes së marrëveshjes, është që të mos diskutohet çështja e shkëmbimit të territoreve.

“Këto parime i kemi dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtarë në Samitin e Parisit që është mbajtur në formë virtuale; në prezencë të kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Macron”.

Hoti në Klan Kosova, ka thënë se nuk e di se sa do të zgjasë procesi i dialogut, por ka thënë që në fund do të ketë vetë marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultojë me njohje reciproke.

“Dialogu nuk është një proces i afatizuar; bëhet fjalë për çështje javësh ose muajsh. Me Serbinë, ose merremi vesh brenda muajsh ose vazhdojmë rrugën si dy shtete fqinje që nuk e njohin njëra – tjetrën; pra nuk do të ketë rrezik nga zgjatja e dialogut me vite të tëra”.

Comments