Hoti përgëzon Shqipërinë: Për kosovarët, me rëndësi që kufiri i BE-së të vijë në Vërmicë

83
fresco

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka përgëzuar Qeverinë e Shqipërisë dhe kryeministrin Edi Rama për hapjen e 28 kapitujve në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka shprehur shpresën që së shpejti të hapen edhe pesë kapitujt e mbetur dhe që negociatat të përmbyllen në një kohë rekord.

“I gjithë spektri politik në Shqipëri, pavarësisht dallimeve, ka përgjegjësi në kuadër të këtij procesi. Shpresoj të gjithë të tregojnë maturi politike dhe të kontribuojnë e të mbështesin pa asnjë rezervë këtë rrugëtim historik të Shqipërisë”.

Sipas tij, tashmë “për kosovarët është tepër me rëndësi që kufiri i BE-së të jetë së shpejti në Vërmicë, e pastaj na mbetet neve që këtë kufi ta lëvizim më tutje në Merdare”.

Ai ka thënë se më 2029, në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, qytetarët e Shqipërisë votojnë krahas qytetarëve të vendeve të BE-së për deputetët shqiptarë në atë parlament.

“Pas hyrjes në NATO, kjo është arritja tjetër historike jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ëndrra historike e shqiptarëve për rikthim në familjen evropiane po realizohet hap pas hapi”.

Të mërkurën, Shqipëria ka hapur edhe katër kapituj të tjerë negociatash për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, të cilat lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi. Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024.

Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014. Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE.

Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.

Comments