I akuzuar për vrasje të rëndë – Kush është Bilall Kqiku, personi që u hodh nga kati i katërt për t’i ikur Policisë

240
fresco

Rreth orës 20:35 të mbrëmjes së së premtes, më 10 korrik, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, për ta arrestuar Bilall Kqikun – një person që nga viti i kaluar ishte në arrati dhe akuzohej për vrasje të rëndë. Por, gjatë operacionit policor, Kqiku është hedhur nga kati i katërt i banesës në përpjekje për t’i ikur arrestimit, duke pësuar lëndime të rënda.

Ai ndodhet aktualisht në trajtim në QKUK.

Për Gazetën Insajderi, drejtori i QKUK-së, Naser Syla, ka konfirmuar se Kqiku është në gjendje jo stabile.

“Po, është duke u trajtuar në QKUK, po kryhen ekzaminimet e nevojshme. Gjendja është jo stabile, bëhet fjalë për një politraumë të rëndë”, deklaroi Syla.

Por për çka saktë akuzohet Kqiku?

Bilall Kqiku është një nga të dyshuarit kryesorë në përplasjen me armë që ndodhi më 26 mars 2024 në lagjen Kolovicë të Prishtinës, ngjarje që tronditi vendin dhe përfundoi me dy të vdekur dhe disa të plagosur.

Viktimat e kësaj përplasjeje ishin Egzon Haziri, 30 vjeç nga Podujeva, dhe Zejnie Gashi, 48 vjeç, e cila u godit rastësisht dhe ndërroi jetë një ditë më vonë në QKUK.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Kqiku ndodhej në një veturë bashkë me të ndjerin Haziri, Lum Halimajn dhe Kaltrim Gashin.

Në atë mbrëmje, sipas hetimeve, vëllezërit Ahmet dhe Naim Berisha – të cilët janë ende në kërkim – dyshohet se shtinë me armë zjarri drejt veturës ku ndodhej Haziri dhe grupi i tij.

Si pasojë, Haziri vdiq në vend, ndërsa Bilall Kqiku u plagos në këmbë dhe dorë.

Në kundërpërgjigje, edhe Kqiku bashkë me Halimajn dhe Gashin dyshohet se hapën zjarr ndaj veturës së Berishëve, duke rrezikuar edhe kalimtarë të rastësishëm.

Veç Zejnie Gashit që humbi jetën, një tjetër grua u plagos.

Prokuroria e ka ngarkuar Bilall Kqikun me veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “mbajtje të paautorizuar të armëve”. Për të bashkëdyshuarin Lum Halimaj, prokuroria ka kërkuar paraburgim, duke përmendur rrezikun për ndikim tek dëshmitarët dhe të pandehurit tjerë, përfshirë Bilall Kqikun dhe Kaltrim Gashin që ndodhen në arrati.

“..në ato momente të pandehurit Lum Halimaj dhe Bilal Kqiku dhe Kaltrim Gashi të cilët ishin në veturën e të ndierit Egzon Haziri kanë shtënë me armë të zjarrit në drejtim të të pandehurve Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personave te panjohur NN, e me çrast nga të shtënat e armëve të zjarrit nga ana e të pandehurve Lum Halimaj në bashkëkryerje me të pandehurit Kaltrim Gashi dhe Bilal Kqiku ne njëren anë dhe të pandehurit Ahmet Berisha Naim Berisha dhe personat e panjohur NN ne anën tjetër, ku për shkak të shtënave me armë të zjarrit janë rrezikuar edhe personat e tjerë, ku ka pësuar lëndime trupore e ndjera Zejnije Gubetini- Gashi e cila si pasoje e plagëve te marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jete në SHSKUK në Prishtinë me datë 27.03.2024, dhe e dëmtuara E.Mi ka pësuar lëndime trupore nga predhat e shkrepura nga armët e zjarrit në këmbën e majtë e cila ka qenë në veturën Vë Golf 7 me targa te Belgjikës me të ndjerën Zejnije Gubetini- Gashi e parkuar para shtëpisë së tyre, po ashtu i pandehuri Lum Halimai dyshohet se është lenduar nga vetura e tii duke tentuar të largohet nga vetura e ka përplasur për muri dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore”, thuhej pos tjerash në dosjen e prokurorisë.

Ndërkohë, mbrëmë gjatë bastisjes në banesën ku po fshihej Bilall Kqiku, Policia e Kosovës ka sekuestruar 6 kilogramë marihuanë, një sasi të kokainës, armë, një telefon mobil dhe para të gatshme.

Comments