I çmendur

Ilir Muharremi
Po çmendem por në këtë çmenduri gjej lirinë më të pastër të shpirtit. Si fëmijë, horizonti më shkrihej në të kuqen e diellit, ku retë e bardha shndërroheshin në avuj uji të ëndrrave. Sot, vetmia ime shekullore më ngërthen me përjetësi, por në thellësi të saj zbuloj tingujt e së paralindjes, muzika e pamasë që përshkon çdo qelizë.
Çmenduria është fluturim mbi kodra, diku larg mizave dhe ligësisë së zakonshme, ku shpirti jeton sipas ligjeve të veta, e mendja ngrihet përtej kufijve njerëzorë. Njeriu shpesh vrapon pas kafshëve pas qenit, e jo qeni pas njeriut. Edhe majmuni nuk shikon më njeriun ka mbetur vetë në lartësitë e vet, foshnje engjëjsh artistik, me pafajësi të burgosur nga konturet e botës njerëzore. Mendja e çmendur kërkon absolutin; është trajnim i gjatë shekujsh deri atëherë kur lumenjtë ndalojnë rrjedhën e tyre. Çmenduria është e vërtetë, si ajo që Antonin Artaud përjetoi; tek Van Goghu gjejmë reflekse të tij , piktori që u vetëvra, i ndikuar nga një univers tjetër ku ngjyrat flasin gjuhë të panjohura për mendjen e kufizuar. Van Goghu vdiq brenda përmasave njerëzore diçka që mendja çmendur nuk e pranon dot. I çmenduri sfidon Zotin, nuk kërkon shumim fizik, sepse bollëku është në mendje, jo në botë. Ai nuk e përshpejton njerëzimin ai e shtyn botën me mendje, dhe gjeniu i çmendur konkurron vetë universin. Fiksioni bëhet realitet cilit realitet? Atij që mendojmë dhe ndjejmë në thellësi të zemrës, sepse asgjë nuk ekziston, nëse zemra ndalet.

Realiteti në harmoni me organet tona formon një interes kolektiv, duke e veçuar çmendurinë si dhimbje, vuajtje, liri. Në një hap të vetëm, mendja e çmendur del jashtë kufijve: ecim me këpucë që shpërfillin baltën, por çdo hap provokon një therje te gjunjët dhimbje pa përkulje, përpjekje e vazhdueshme. Ka të tjerë që, në ankth, shkruajnë “Jezus na shpëto” mbi muri, klithmë shpirtërore që na rikujton tablonë e Edvard Munchut: qielli i kuq me pika shiu gjaku mbi ballin e çmendurit, duke ecur mbi një urë druri përballë lumit që rrjedh i pashoq.Çmenduria është ekstazë përtej dehjes dhe drogës, sfidë e mendjes, një mish shpirtëror që matet me gramë dhe dritë. Dhimbja është vetë esenca e saj, por ka edhe një çmenduri më të madhe: tejkaluese, e pafund. Unë jam i çmendur dhe dua të çlirohem nga zinxhirët e këtij shpirti që prek akullin me buzët e ftohta, ku rrëshqasin budallenjtë. Nuk dua as kohën, as moshën, por qiellin dhe dritën që peshon mbi sytë e mi të vetmuar. Çmendur nga ekstaza më e thellë, fragmente filozofësh shndërrohen në tokë të harlisur asgjë nuk kuptohet, dhe jeta merr formën e një formule kolektive, ku moskuptimi vetë bëhet thelbi. Kuptimi fshihet në thellësitë e çmendurisë individuale, aty ku tingëllojnë telat më të ndjeshëm të shpirtit.Të jesh i çmendur nuk do të thotë të jesh vulgar, as i mirëmbajtur, as artist, as filozof do të thotë të jesh i sinqertë deri në thellësi, të përjetosh vetminë dhe dashurinë përtej çdo rregulli. Të mendosh lirshëm, të ndjesh fort dhe të jesh i çliruar nga çdo prangë.