Igor Popoviq del para gjykatës për marrëveshjen e fajësisë

66

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të mbajë sot seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes së pranimit të fajësisë ndërmjet Igor Popoviqit dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Igor Popoviq ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila do të shqyrtohet nga trupi gjykues gjatë seancës.

Vendimi për miratimin ose refuzimin e kësaj marrëveshjeje do të merret pas vlerësimit të gjykatës, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndaj Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, pas arrestimit të tij muajin e kaluar nga Policia e Kosovës.

Arrestimi erdhi si pasojë e një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai dyshohet se ka përdorur gjuhë nxitëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në një tubim publik në Rahovec, Popoviq mbajti një fjalim me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike.

Në deklarimet e tij, ai thuhet të ketë theksuar se: “Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit… dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë”, duke bërë thirrje që “Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe”.

Prokuroria vlerëson se përmes këtyre deklarimeve, Popoviq ka nxitur mosbesim dhe mosdurim ndërmjet komuniteteve në Kosovë, duke cenuar rendin kushtetues dhe bashkëjetesën ndëretnike.

Comments