Irène Némirovski: Zjarret e vjeshtës midis dy Luftërave

207
fresco

midle

Irène Némirovski

 

 

 

 

 

 

Zjarret e Vjeshtës u botua më 1957 nga shtëpia e njohur botuese franceze Albin Michel dhe përqendrohet mbi dy personazhe të borgjezisë së vogël franceze, Terezën dhe Bernardin, historia e të cilëve zhvillohet në periudhën midis dy luftrave botërore. Por, ai nuk është një roman vetëm mbi periudhën depresive që pushtoi Francën dhe të gjithë Europën pas Luftës së Parë, por një libër edhe për pasionin, për dashurinë. 

Nga Diana Çuli

Kam patur fatin të përkthej dy nga romanet e Irène Némirovski-t, shkrimtare franceze, me origjinë ruse-hebreje, të dy të propozuar dhe të botuar më pas nga Insituti i Dialogut dhe i Komunikimit – IDK. I pari, Jezabel, me një temë origjinale e të veçantë, ma tërhoqi shumë vëmendjen mbi këtë autore të zbuluar më së shumti pas viteve ’90, ndërkohë që ajo kishte vdekur në kampin e përqendrimit në Mat’hauzen, në moshën 38 vjeçare. Duke lënë pas shumicën e dorëshkrimeve, të pahapura për dekada me radhë. Të cilat, kur u botuan prej bijës së saj, e shndërruan atë menjëherë në një shkrimtare me famë botërore.

Zjarret e Vjeshtës u botua më 1957 nga shtëpia e njohur botuese franceze Albin Michel dhe përqendrohet mbi dy personazhe të borgjezisë së vogël franceze, Terezën dhe Bernardin, historia e të cilëve zhvillohet në periudhën midis dy luftërave botërore. Por, ai nuk është një roman vetëm mbi periudhën depresive që pushtoi Francën dhe të gjithë Europën pas Luftës së Parë, por një libër edhe për pasionin, për dashurinë.

Irène Némirovski dhe familja e saj, duke pasur origjinë hebreje, gjatë pushtimit nazist detyrohen të largohen nga Parisi dhe të jetojnë në një nga provincat franceze, ku ajo nuk pushon së shkruari e së botuari me pseudonim aty këtu, por më vonë nuk mundet të botojë më asgjë. Në ato vite të errët ajo shkruan kryeveprat e saj si Suitë Franceze (botuar më parë në shqip nga Dituria). Subjekti tek Zjarret e vjeshtës fillon që në vitin e largët 1912, përshkon katastrofën e Luftës së Parë Botërore, mbulon pastaj, siç përmendëm, periudhën midis dy luftërave dhe mbyllet në vjeshtën e vitit 1941. Më 1942, autorja nuk jeton më. Në këtë roman të jashtëzakonshëm, ku individi dhe historia ndërthuren dhe ndikojnë njeri tjetrin, Némirovski, përmes veprimeve dhe zgjedhjeve të personazheve na jep një tablo të qartë të marrëdhënieve midis traumave që solli Lufta e Parë Botërore me revanshin e les années folles, korrupsionin dhe skandalet politiko-financiare të viteve ’30, që  u shoqëruan me rënien e Francës nën thundrën naziste.

Romani trajton disa tema thelbësore – tri janë më të rëndësishmet: deheroizimi  i luftës, korrupsioni që zgjerohet pas saj si gangrenë dhe dashuria si shpëtimtare për njeriun, e mishëruar në figurën e Terezës.

Lufta, sipas autores, nuk sjell vlera, përkundrazi. Autorja e përdor subjektin për luftën për të vënë në dukje aspektin vdekjeprurës të saj, revanshizmin patriotik, falsitetin e nderit dhe të detyrës të shtrembëruar nga pushteti, bindjen e detyruar ndaj autoriteteve, respektin për moralin. Djalë i ri, Bernardi tërhiqet e frymëzohet nga këto parulla dhe bën gjithçka të shkojë e të luftojë. Në vitet e rënda të luftës, ai jo vetëm shikon me sytë e tij tmerre të papërfytyrueshme, por kupton edhe se ai dhe shokët e tij po luftojnë për tregtarët e armëve. Këto tmerre nuk jepen me hollësi, por përjetohen nga Marsiali – personazhi tjetër kryesor – në  qilarin ku ai përpiqet të shpëtojë të plagosurit. Po edhe Bernardin, lexuesi e ndjek në kaosin e fshatrave në flakë e të kufomave të panumërta dhe ai bëhet një nga kundërshtarët më të flaktë të heroizmit, gjë që autorja e vulos edhe me vdekjen e djalit të tij gjatë luftës së Dytë.

Me personazhin e Bernardit, me demoralizimin e tij pas – lufte, me mohimin që ai i bën çdo vlere dhe që ka për idhull vetëm paranë, me përfshirjen e tij në mashtimet fiannciare, Irène Némirovski shpalos të gjithë korrupsionin që fshihej pas arsyeve të luftës dhe të përfitimeve prej saj të disa personave që sakrifikojnë mijëra njerëz për këto fitime.

Dashuria, e mishëruar fillimisht nga Marsiali, e pastaj nga Tereza, duket se arrin të shpëtojë shpirtin e Bernardit dhe t’i japë një shkëndijë jetës së Terezës. Megjithatë, ky roman, i shkruar mes flakëve të luftës, të lë pas një  trishtim të madh, si të jetë një lamtumirë e autores për vetë jetën.

Romani, si të gjithë librat e Némirovskit, është i shkruar me një gjuhë të pasur e me nënshtresa, ku emocionet, ndjenjat, po edhe periudhat historike jepen me elegancë e masë, pa e lodhur lexuesin, përkundrazi, duke  e tërhequr atë ta lexojë me një frymë nga faqja e parë deri tek e fundit.

Jemi në një kohë botimesh kur nuk mund të ankohemi më se « nuk e dimë si të orientohemi  e çfarë autorësh të lexojmë ». Letërsia e madhe është pranë nesh, në një të zgjatur dore, fare pranë nesh.

Comments