Irinej dhe Marko Gjuriq trumbetojnë luftë të re për Kosovën, promovojnë monografi çetnike
Patriku serb, Irinej, ka thënë sot se derisa të ekzistojnë serbët do të ekzistojë edhe vetëdija për “Kosovën serbe, kështu që Kosovën nga zemra dhe shpirti unë askush nuk do ta largojë”.
Në promovimin e monografisë “Trashëgimia në Kosovë dhe Metohi – trashëgimi historike, shpirtërore dhe kulturore e popullit serb” në panairin e librit në Beograd, patriku Irinej ka thënë se nuk është çudi që Serbia sot lufton ta “ruaj Kosovën e saj”, pasi që sipas tij, pa Kosovë, Serbia është si njeriu ma shpirt dhe zemër dhe pa Kosovën nuk mund të ekzistojë, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, në Kosovë është fillimi i Serbisë dhe fryma e saj e fundit e vlerave.
Duke folur për monografinë, patriku ka thënë se në të gjendet gjithçka që duhet të dihet për Kosovë, se çfarë do të thotë Kosova dje, sot dhe nesër.
Ai ka thënë se monografia është dokument i vërtetë për Kosovën. Sipas tij, kjo do të jetë e rëndësishme edhe për ata që vendosin për Kosovën.
“Tragjedia e vetme do të ishte nëse serbët e harrojnë Kosovën. Shpresoj se kjo nuk do të ndodh kurrë”, ka thënë Irinej, transmeton lajmi.net.
Ai ka shkuar aq larg sa që ka thënë se “Kosova është djepi i historisë së Serbisë, kulturës, dhe gjithçka tjetër, dhe se gjithçka që sot ka Serbia dhe me gjithë ato që krenohet kanë nisur dhe janë zhvilluar në Kosovë”.
Në këtë promovim ka marrë pjesë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se kjo monografi do të kontribuoj në “të vërtetën për serbët në Kosovë dhe fatin e popullit tonë”.
“Serbia dhe populli serb kurrë nuk do të heqin dorë nga lufta për Kosovën”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se monografia “dëshmon se e kujt është Kosova”