Isa Mustafa kujton Rugovën: Trashëgimia që la pas është bazamenti i shtetit të Kosovës
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar ish-presidentin Rugova në 15 vjetorin e vdekjes së tij.
Mustafa ka thënë se Rugova ishte projektues i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke i ndërtuar themelet e shtetit tonë mbi tri parime: Liri, Pavarësi dhe Demokraci, shkruan lajmi.net.
“Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia”, ka thënë Mustafa.
Deklarata e plotë e Mustafës:
Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci.
Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova.
Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.
Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik.
LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës. Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi e cila është emblema më e mirë e Kosovës tonë të sotme dhe të ardhshme.
Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte Presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Lajmi.net