Ish-deputetët e PDSH-së me nismë të re, themeluan Lëvizjen Qytetare “Arbëria”
Ish deputetë të dikurshëm të Partisë Demokratike Shqiptare, Bekim Fazliu, Merale Ferati, Orhan Ibrahimi e të tjerë, themeluan Lëvizjen qytetare “Arbëria”. Bekim Fazliu njëri nga iniciatorët, tha se kjo lëvizje nuk është parti, por më shumë se një parti politike.
“Nuk është parti politike, është shumë më shumë se parti politike. Është organizim i qytetarëve është organizim i shqiptarëve që është ndërgjegje e shqiptarëve që lind si nevojë e kohës, si reagim ndaj së keqes dhe si e mirë që mungon”, tha Bekim Fazliu – Lëvizja Arbëria.
Ai shtoi se prioritetet e kësaj lëvizje do të jenë barazia e plotë e shqiptarëve dhe realizim i drejtë i Marrëveshjes së Ohrit.
Në pyetjen nëse kjo lëvizje a do të shndërrohet në subjekt politik, Fazliu u përgjigj:
“Në ecje e sipër do të marrim edhe vendime qofshin ato politike, se a do të marrim pjesë në zgjedhje, apo do të bashkëpunojmë me dikë tjetër e kështu me radhë. Me ndonjë nismë tjetër iniciativë qytetarë, iniciativë politike, nëse i përkrahin parimet tona”, shtoi Bekim Fazliu – Lëvizja Arbëria.
Ndryshe Lëvizja e re politike “Arbëria” nuk do të ketë kryetar, por do të ketë Këshill Drejtues. Në Kuvendin Themelues u zgjodh Kryesia e Punës dhe Sekretari i Kuvendit. Delegatët miratuan Rregulloren e Punës së Kuvendit me çka u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i Lëvizjes.