Islamizmi radikal mpreh gërshërët ndaj këngëve ikonike shqipe
Megjithëse ende nuk bëhet fjalë për një dukuri të gjithështrirë, disa prej këngëve ikonike shqipe kanë filluar të riinterpretohen në mënyrë blatante nga këngëtarë islamikë. Teksteve të këngëve të njohura të UÇK-së po iu ndryshohen ato pjesë ku përmendet Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këtë fat e vuajti edhe kënga e njohur e Ilir Shaqirit “Lulja e Koshares” kushtuar dëshmorit tetovar, Myjdin Aliu. Një variant i kënduar nëpër dasma në Pollog ka zëvendësuar origjinalin “gjaku i Skënderbeut” me “gjaku i këtij dhéu”. Një këngëtar ilahish nga Shkupi, Adem Ramadani, e ka vetëcenzuruar këngën “Po i bjen era rétë e zeza” që më 1983 ishte interpretuar lavdishëm prej Mjeshtrit të Madh nga Dibra, Qerim Sula, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Versioni i tij ka shmangur keqdashësisht vargjet “Jemi gjaku i Kastriotit”, duke e çkuptimësuar këngën e njohur dibrane. Më 2010, një reper nga Mitrovica, i njohur si Prince Double H, në një këngë me përmbajtje të sertë xhihadiste e kishte sharë Ismail Kadarenë, letërsinë e tij dhe çdo element paraosman e paraislamik. Nuk ishin kursyer nga fyerjet as baladat e qëmoçme arbëreshe. Ndonëse nuk ka praktika fetvash e ndalimesh cenzuruese si në disa vende arabe, këto raste flasin pa ekuivoke se qarqe islamiste i kanë zët përmbajtjet e njohura muzikore shqipe që mbizotërohen nga kultura kombëtare sekulare. Ashtu sikurse edhe identiteti kombëtar, ato po iu nënshtrohen përpjekjeve të vetëdijshme për t’i ndryshuar në përputhje me narrativat religjioze.
Col MEHMETI
29 gusht 2025 – Një dukuri e re është bërë e dukshme dhe e painjorueshme për sa u përket interpretimeve të këngëve të njohura shqipe.
Në debatin e hapur së fundmi në periferitë e diskursit publik – në media sociale si Instagram e TikTok – është vënë re se vargje të caktuara nuk këndohen ose ndryshohen krejtazi.
Si vjegëz ka shërbyer një video nga një dasmë diku në anë të Tetovës.
Dy këngëtarë të ftuar në ahengun privat intepretojnë këngën ikonike “Lulja e Koshares”.
Por, interpretimi i tyre bën një kthesë të papritur.
Aty ku teksti burimor i këngës ishte: “Jam djalë nga Tetova,/ më ka thirrë atdheu,/ vetë Adem Jashari,/ gjaku i Skënderbeut”, është retushuar në “gjaku i këtij dhéu”.

E interpretuar për herë të parë nga Ilir Shaqiri, kënga është një tribut për Dëshmorin e Kombit, Mujdin Qerim Aliu (1974-1999).
I lindur në Poroj të Tetovës si djali i vetëm në familje, Mujdini në lule të moshës, si 24-vjeçar, iu bashkua radhëve të njësitit special ‘Skënderbeu’ që vepronte në Zonën Operative të Dukagjinit.
Disa muaj më vonë, ai u sistemua në formacionet e Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, duke u përfshirë në luftimet e ashpra te vendi i quajtur Rrasa e Koshares.
Ai ra më 14 prill në kulmin e luftimeve në Koshare duke u përjetësuar si një nga rastet e shumta kur rinia tetovare u bë pjesë e UÇK-së.
Kënga që është himn për Tetovën
Si shumë nga këngët ikonike të Ilir Shaqirit me syzhe nga lufta çlirimtare, “Lulja e Koshares” është ripopullarizuar viteve të fundit edhe si identitet zëror i Tetovës.
Kësodore, vargjet “Jam djalë nga Tetova” gëzojnë ku-e-ku statusin e këngës “Mora fjalë” në repertorin e tifozërive dhe ngjarjeve sportive.
Ato u kënduan edhe më rastin e 30-vjetorit të themelimit të tifozërisë tetovare ‘Ballistët’, porse pa u bërë asfarë ndryshimi në vargje.
Skënderbeu në shënjestër – pas tij edhe identiteti
Megjithëse rasti i paradoditshëm ende nuk mund të merret si i gjithështrirë në mikrokozmoset kulturore shqiptare, është e vërtetdukshme se ekziston një prirje mes qarqeve islamike për të konvertuar përmbajtje të caktuara muzikore në aso me rezonanca fetare.
Në raste kur kjo nuk është e mundur, atëherë elementet identitariste kombëtar largohen në shërbim të idesë që përmbajtjet e ripunuara të jenë të përshtatshme për ‘identitetin’ e ri islamik.
Ky rinegocim identitar për motive ideologjike mund të jetë fillimi i një procesi krejtësor të zhveshjes së shqiptarizmit laik dhe ripërmbajtësimit të tij.
Dhe kjo bëhet herë duke i shënjestruar simbolikat kryesore të tij (kryesisht Skënderbeu), herë duke ndërfutur elemente me ngyresa fetare.
Kur kjo e fundit nuk është e mundur për t’u manifakturuar, narrativa e re e grupeve kryesisht islamike vihet në kërkim të një identiteti të ri shqiptar që do të përshfaqej pa setin e tij vleror e sekular.
Vetëcenzura e ilahistit e çorodit këngën dibrane
Fryt i kësaj duket të jetë edhe ajo që quhet vetëcenzurë, term që gjuhëson shmangien e fjalëve apo veprimeve gjoja pezmatuese, pa pasur zyrtarisht urdhër për një gjë të tillë.
I tillë shfaqet rasti me këngëtarin islamik, Adem Ramadani i cili në nëntor të 2023-s e riinterpretoi këngën “Po i bjen era rétë e zeza”, shoqëruar edhe më një klip ku shfaqen burra me petka tradicionale shqiptare.
Kjo këngë u interpretua për herë të parë nga artisti i madh dibran, Qerim Sula (1951-2020).
I nderuar si Mjeshtër i Madh për vokacionin e tij të tejzakontë, Sula e interpretoi së pari herë këtë këngë në edicionin e katërt të festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër më 1983.
Vargjet e këngës i bënin jeh kulturës kryengritëse të krahinës së Dibrës e njohur si vatër rebele kundër Perandorisë Osmane, e më vonë edhe kundër Serbisë.
Ajo bart kushtrimin që burrat dibranë të mbrojnë vendin e tyre kundër armikut, ashtu siç jepet nga vargjet fundore: “Bini trimat e mejdanit,/ hiqni sumllat e xhamadanit/ me mbushë hutën e dibranit/ me gjoks flakën ja shuajmë topit,/ Jemi gjaku i Kastriotit/ Lê e rrit në kullë t’barotit”.
Këto vargje janë vetëcenzuruar prej këngëtarit shkupjan.
Riinterpretimi i tij e ka çstrukturuar rrjedhën e tekstit burimor të këngës dibrane, duke ia hequr vargjet fundore “Jemi gjaku i Kastriotit”.
Në vend të tyre, këngëtari i ilahive e përmbyll këngën me vargjet: “Kadal hasëm se ktu ka burra,/ Na knojnë hutat nëpër kulla,/ Ta shtrojmë vênin pllam me pluma”.
Një histori e harruar me Hysenin
Gati i skajuar në katet përdhésë të kujtesës është rasti uluritës i reperit nga Mitrovica, Hysen Hyseni, që në vitet e pasluftës kishte bërë emër si ‘Prince Double H’.
‘Reportori’ i tij ishte kryesisht me përmbajtje xhihadiste dhe një nga këngët më skandaloze të tij ishte “Xhihadi jem”.
Reperit, që jeton në Gjermani, i kishte dalë ‘punë’ edhe me Ismail Kadarenë të cilën e sulmonte nga pozita e tij prej xhihadisti urban.
Urrejtja e tij nuk kursente as atë që ishte yndyra e letërsisë kadareane si romanet ‘Ura me tri harqe’, ‘Prilli i thyer’, ‘Dosja H’ e ‘Viti i mbrapshtë’.
Revolta e ndragur me intolerancë të frikshme nga reperi mitrovicas shkonte deri atje sa t’i shante edhe baladat arbëreshe e gjithçka të periudhës paraosmane e paraislamike.
Audiencës së tij xhihadiste iu shfaqej edhe Doruntina e baladave të cilës i mblidhen bétë se do të përdhunohet seksualisht:
O Ismail nuk je francez, emrin musliman e ki,
S’je në pallat, dost, as s’je n’ândërr,
Unë po e shprazi magazinën,
Kur e kryj punën me ty,
kthehna e kputi Doruntinën.
Kur vi unë, dost, ta thej prillin.
Ka mét shku krejt viti mrapsht,
Kto fjalë ni nacion e dridhin,
Dosja H u mbyll me kaq.
Pasi e shpallte të shkatërruar kolosin e letrave shqipe, ‘Princi’ xhihadist në vargjet e tij rep ngutej ta shpallte krenarinë se është mysliman:
Thum arab e terrorist,
Thum n’daç turk, n’daç taliban,
Thum që jam i prapambetun,
Po ktij xhaxhit nuk i han.
Unë kam zgjedh rrugën e Zotit,
e ti je mét kërkah,
mburrem që jam musliman,
muslim elhamdulilah.
Po pse islamizmi merr nishan kulturën dhe identitetin shqiptar?
I vlerësuar si e mbërrimja më kolosale e shqiptarëve nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e këndej, identiteti shqiptarist ndoqi një rrugë tjetër nga identitetet fqinje tek të cilat u vunë shenja barazimi mes kombit dhe fesë.
Në kushtet e shumëfetarësisë mes shqiptarësh, brezi rilindës zgjodhi një model mjaft tejpamës për kohën.
Identiteti shqiptarist u mendua si përtejfetar e përtejkrahinor ashtu që të rrjetëzohej më mirë midis të gjitha grupeve fetare e kulturore.
Formula pashkovasoiste “Feja e shqiptarit është shqiptaria” u bë gjuhësimi më i mirë i këtij vizioni ku të gjitha grupet fetare e ruanin identitetin e vet fetar e kulturor nëpërmjet elementesh përbashkuese siç ishin gjuha, njëjtëprejardhësia e gjeografia.
E keqkuptuar dhe e sulmuar prej qarqeve islamike, formula pashkovasoiste nuk e kishte as periferikisht hallin te gjetja e një ‘feje’ të re apo shartimi i feve abrahamike në një të re.
Shqiptarizmi i sugjeruar nga brezat rilindës, që më vonë, pas themelimit të shtetit shqiptar, u shndërrua në politikë etatiste, përfytyronte bashkësi të pavarura fetare të cilat do të epiqendërzoheshin në Shqipëri.
Domosdosë për shtetndërtim iu përgjigjen pozitivisht bashkësitë kryesore të cilat e formonin hartën e asobotshme fetare të Shqipërisë.
Të parët që e trazuan këtë rrugë ishin shqiptarët bektashinj të cilët që në janar të 1921-s u shpallën si bashkësia e parë fetare që nuk kishte lidhje me qendra të huaja.
Kjo rrugë u trazua menjëherë nga shqiptarët ortodoksë
të cilët më 10 shtator 1922 shpallën autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare duke u shkëputur nga Patriarkana Ekumenike, kurse një vit më vonë edhe shqiptarët myslimanë shkëputën çdo lidhje me Kalifatin osman.
Shembuj nga sauditët, oh mos
Ndryshimi ose cenzurimi i përmbajtjes së këngëve nuk ka ndonjë model të mbarë.
Të vetmet vende ku përmbajtja muzikore vuan nga gërshërët e cenzurës janë kryesisht vendet arabe.
Me anë të fetvave (shpallje fetare), sheikë të caktuar sauditë shpesh kanë fushatuar kundër muzikës në kurriz të plot artistëve të dhuntishëm sauditë.
Duke përvijuar praktikën e takfirizmit
(ku tjetri shpallet ‘i pafe’), artistë të shumtë kanë hequr të zitë e ullirit nga dara e shtrëngimeve cenzuruese. Atyre nuk iu kishte mbetur shtegdalje tjetër pos të largoheshin drejt vendeve ku ekziston një liri relative si Egjipti ose Libani, ose drejt vendeve plotësisht të lira për krijimtari artistike si Britania e Madhe.
Autori Ahmed al-Wasel në librin e tij “The Forbidden in the Gulf: The Silence Surrounding Singing and its Conditions” kronikon gjendjen e dhimbshme të artistëve sauditë ashtu sikurse edhe historinë e këndimit në dritën e fetvave ndaluese.
Qasje e tillë mendjengushtë ka edhe ndaj këngëve të artistëve perëndimorë, ku shpesh vargjeve të caktuara iu hidhet përsipër suvaja e cenzurës, heshtimit me tinguj ose çzërimit.
Në raste të tjera ndodh që edhe të ndryshohen vargje të caktuara për shkak të reperkusioneve ligjore nga dora e sertë e shtetit.
Kështu ngjau edhe gjatë performancës së këngëtares amerikane Camila Cabello në Riad më 2024.
Ajo që në original është si “Havana, ooh-na-na” u zëvendësua atypëraty me një “Saudia, ooh-na-na”.
Diçka e tillë kishte ngjarë edhe në vitin tashmë të largët 1992 me ‘Arabian Nights’ që është kënga hyrëse nga filmi i animuar i Disneyt ‘Aladdin’, me tekstin e Howard Ashmanit. Aty ku vargjet origjinale të tekstit ishin “Where they cut off your ear / If they don’t like your face, / It’s barbaric, but hey, it’s home”, Disney i kishte ndryshuar substancialisht si “Where it’s flat and immense / And the heat is intense, / It’s barbaric, but hey, it’s home.” /Nacionale/

