Izraeli kryen sulme ajrore afër pallatit presidencial në Damask të Sirisë
Izraeli sulmoi një shënjestër afër pallatit presidencial në kryeqytetin sirian, Damask, tha të premten herët kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke u rizotuar për mbrojtjen e pjesëtarëve të komunitetit Druze.
Kjo është hera e dytë që Izraeli e sulmon Sirinë në po aq vjet, duke e ndjekur premtimin për ta mbrojtur komunitetin pakicë, i cili u përfshi në dhunë sektare kundër të armatosurve sunitë më herët këtë javë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Izraeli sulmoi mbrëmë afër pallatit presidencial në Damask” – tha Netanyahu në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz. “Kjo është një porosi e qartë për regjimin sirian: Ne nuk do t’i lejojmë forcat [siriane] që të dislokohen në jug të Damaskut ose ndonjë rrezik ndaj komunitetit Druze” – thuhet më tej në deklaratë.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se sulmoi “ngjitur me zonën e Pallatatit të Ahmed Hussein al-Sharaa-s në Damask”, pa e saktësuar shënjestrën. Nuk pati koment të menjëhershëm nga autoritetet siriane.
Që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad nga pushteti në dhjetor në Siri, Izraeli ka marrë nën kontroll një pjesë të territorit sirian në jugperëndim të vendit, është zotuar se do ta mbrojë komunitetin Druze, ka bërë lobim në Uashington për ta mbajtur të dobët Sirinë dhe ka hedhur në erë një pjesë të madhe të armëve të rënda të ushtrisë siriane pas rrëzimit të Assadit.
Sharaa, i cili ishte komandant i një grupi të lidhur me al-Qaedan para se t’i shkëpuste lidhjet me të më 2016, në mënyrë të përsëritur është zotuar se do ta qeverisë Sirinë me gjithëpërfshirje. Megjithatë, incidentet e dhunës sektare, përfshirë vrasjen e qindra pjesëtarëve të komunitetit alavit në mars, e kanë shtuar frikën te grupet pakicë nga sunitët mbizotërues.