Izraeli vret të paktën 85 persona në Gaza, ndihmat ende nuk kanë arritur te popullata

Izraeli dje vazhdoi ofensivën e tij të re ushtarake në Gaza, pavarësisht kritikave ndërkombëtare në rritje, duke filluar sulme ajrore që, sipas autoriteteve shëndetësore, kanë vrarë të paktën 85 palestinezë. Zyrtarët izraelitë deklaruan se kanë lejuar hyrjen e dhjetëra kamionëve me ndihma humanitare, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Dy ditë pasi ndihma filloi të hyjë në Gaza, furnizimet e reja aq shumë të nevojshme ende nuk kanë arritur te njerëzit, territori i të cilëve ndodhet nën bllokadën izraelite prej gati tre muajsh, sipas Kombeve të Bashkuara. Ekspertët paralajmërojnë se shumë prej 2 milionë banorëve të Gazës janë në rrezik të lartë për urie.
Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli këtë javë pranoi të lejojë një sasi “minimale” ndihme në territorin palestinez, pasi më parë kishte ndaluar hyrjen e ushqimit, barnave dhe karburantit në përpjekje për të ushtruar presion mbi grupin militant Hamas. Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, deklaroi se ndonëse ndihmat kanë hyrë në Gaza, punonjësit humanitarë nuk kanë mundur t’i shpërndajnë ato në pikat më të nevojshme, pasi ushtria izraelite i ka detyruar të ngarkojnë ndihmat në kamionë të veçantë dhe koha nuk ka mjaftuar për shpërndarje.
COGAT, agjencia izraelite e mbrojtjes që mbikëqyr ndihmën humanitare, njoftoi se pesë kamionë kanë hyrë të hënën dhe 93 të martën. Por Dujarric tha se OKB ka konfirmuar se vetëm disa dhjetëra kamionë kanë hyrë realisht në Gaza të martën.

Ndihma përfshinte miell, ushqim për kuzhinat popullore, ushqim për foshnje dhe materiale mjekësore. Agjencia humanitare e OKB-së bëri të ditur se në dërgesat e para po jep përparësi formulës për foshnje.
Megjithatë, asnjë nga këto ndihma nuk ka arritur tek palestinezët, sipas OKB-së. Dujarric përshkroi procedurën e re të sigurisë për marrjen e ndihmës në depot si “të gjatë, të ndërlikuar, komplekse dhe të rrezikshme”. Ai tha se kërkesat e ushtrisë izraelite që punonjësit humanitarë të shkarkojnë dhe rimbarkojnë ndihmat po pengojnë seriozisht përpjekjet për shpërndarjen e tyre. COGAT nuk ka komentuar menjëherë për këto procedura të reja.
Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara ka marrë miratim për rreth 100 kamionë që të hyjnë në Gaza, tha zëdhënësi Jens Laerke, një numër shumë më i vogël krahasuar me 600 kamionët që hynin përditë gjatë armëpushimit të fundit që Izraeli përfundoi në mars. Ministria e Jashtme izraelite tha se pritet që çdo ditë të hyjnë dhjetëra kamionë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ka vendosur të lejojë ndihmë të kufizuar pas presionit nga aleatët, të cilët i kishin thënë se nuk mund ta mbështesin më Izraelin derisa nga Gaza të vijnë pamje katastrofike të urisë.