Janeva: Gati të dorëzoj raportin, dëshmitarë ka, miratoni ligjin që t’i mbrojmë



Prokurorja Publike Speciale ka përgatitur raportin e dytë gjashtëmujor dhe është e gatshme ta paraqesë raportin në periudhën e paraparë me ligj…
Me rëndësi, sipas Janevës, është që qytetarët të sigurohen se e vërteta do të dalë në sipërfaqe.
“I gjithë opinioni në Maqedoni duhet të sigurohet se PPS do të vazhdojë me punën e saj me qëllim që qytetarët e RM-së të mësojnë të vërtetën se kush dhe në ç’mënyrë në periudhën prej vitit 2008 e deri në vitin 2015 ka bërë vepër penale, lidhur ose që buron nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve, kush është pasuruar në llogari të qytetarëve të RM-së, ajo pasuri të kthehet në buxhetin e RM-së dhe të shfrytëzohet në mënyrën e duhur”,– deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
Problematike, sipas Janevës, është pamundësia e mbrojtjes së shumë dëshmitarëve që janë të gatshëm të dëshmojnë, por frikësohen për sigurinë e tyre dhe familjeve.
“I bëj thirrje shtëpisë ligjdhënëse që të miratojë ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, që t’i krijohet mundësi Prokurorisë Speciale të hyjë në palcën e lëndëve, siç është rasti me vrasjen e të riut, Martin Neshkoski, dhe rastet “Monstra” dhe “Sopot””,– theksoi prokurorja speciale, Katica Janeva.
Në raportin e PSP-së, mes tjerash, thuhet se janë realizuar 28,75 për qind nga buxheti i kësaj Prokurorie Publike për vitin 2016, janë hapur katër procedura hetimore kundër 40 personave dhe dy propozimet e parashtruara kundër gjithsej 21 personave, si dhe veprimet e shumta të ndërmarra.