“Ka sjellë sa ka mujt”- Dëshmitarët rrëfejnë maltretimet gjatë luftës nga i akuzuari Shaqir Lutvija

99
fresco

Dëshmitarët Murat Kabashi dhe Elmi Gashi- të dy nga fshati Mohlan, Komuna e Suharekës rrëfyen të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rrahjet që kishin përjetuar gjatë vitit 1998 dhe 1999 nga i akuzuari për krime lufte, Shaqir Lutvija në burgun e Prizrenit.

Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitari Kabashi tha se ishte në bashkëjetesë e me kushte të vështira ekonomike me 22 familjarë dhe se një ditë i kishte lindur nevoja që të shkonte në qytet të blinte ushqim.

Sipas Kabashit, me t’u kthyer nga Suhareka në fshatin Mohlan ku ishte ambulanta e fshatit, ishin vendosur policia serbe dhe aty e kishin arrestuar me arsyetimin se duhet të japë deklaratë.

Pas arrestimit, Kabashi tha se e kishin dërguar në burgun e Prizrenit, ku sipas tij, e kishin vendosur në dhomën numër 36, ku edhe ishte i akuzuari Lutfija.

Dëshmitari tha se e kishin pyetur se a ka bërë roje gjatë kohës së luftës dhe se, sipas tij, këtë e kishte mohuar dhe nuk ishte përgjigjur, për çka, më pas tha se kishin filluar me rrahje e cila kishte zgjatur dy ditë.

“Një karrige u kanë aty, e kam cek edhe te prokurori, i ka qitë kamt aty dhe sa ka mujt ka sjellë. Atë ditë më kanë çu apet në atë burgun vogël, të nesërmen kanë fillu apet në të njëjtën kohë-ditë, apet 3-4 orë ka zgjat tu më vetë për do katunarë të mi. U kanë edhe një shok i tij, emrin nuk ia di, edhe ai ka ushtru dhunë ndaj meje”, deklaroi Kabashi.

Gjithashtu, Kabashi sqaroi se të akuzuarin Lutvija ka arritur ta identifikojë në bazë të nishanit që ka nën sy, por se emrin dhe mbiemrin nuk ia ka ditur.

Gjithnjë sipas dëshmitarit, hetuesit policorë ia kishin prezantuar disa fotografi dhe se mbi bazën e tyre kishte identifikuar të akuzuarin Lutvija.

Më pas, seanca vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit, Elmi Gashi, i cili për të akuzuari Lutvija tha se gjatë kohës sa e kishin dërguar në Burgun e Prizrenit, i referoheshin si “Shefi” dhe “Luta”, dhe se emrin e tij nuk e ka ditur.

Gashi tha se dhuna ndaj tij ishte ushtruar nga punonjës të burgut me urdhër të vet shefit, për arsye se nuk kishte pranuar të deklarohet për pyetjet që i ishin parashtruar, e që sipas Gashit, ishin në tërësi të pavërteta, andaj nuk ka dashur t’i pohojë.

Sipas Gashit, me urdhër të “shefit”- që i referohej të akuzuarit Shaqir Lutvija, ishte rrahuhr në tërë pjesët e trupit, përpos kokës, e që edhe vetë i akuzuari, ai thotë se në disa raste kishte ushtruar dhunë.

“Fillimisht, me duarve me pendrek edhe pyetjet zakonisht çdo herë kanë qenë… jo që s’kam pranu por nuk kanë qenë të vërteta. Aty kur e panë që ndoshta në njëfarë mënyre nuk po iu del boll më kanë shtri në bark edhe më kanë thënë ngriti këmbët edhe kanë fillu me më goditë këmbëve, edhe në pjesën e shpinës, në përjashtim në kokë aty s’më kanë ra. Aty kanë fillu maltretimet derisa kanë deshtë vetë, dikur e panë që është boll edhe më kanë marrë më kanë çu në dhomë”, tha ai.

Po ashtu, Gashi tha se rrahja kishte ndodhur përgjatë gjashtë ditëve dhe se ishte rrahur një herë brenda ditës por në disa raste edhe dy herë. Tha se çdo herë me vetëdije kishte shkuar në dhomën numër 36, por se për kthimin në qeli ishte pavetëdije për shkak të rrahjes.

midle

Dëshmitari deklaroi se i janë ofruar disa fotografi dhe se përmes tyre kishte identifikuar të akuzuarin Lutvija dhe atë në bazë të nishanit që ka poshtë syrit, si dhe faktin se për gjashtë ditë rresht ka marrë pjesë në maltretimin e tij.

“Kurrë mos me pas pa, kisha mujt me vizatu, pikturu, se mbi të gjitha pika është sepse s’ia harroj fytyrën kurrë dhe po ia përkujtoj avokates, i kam thanë dhe po e përsëris me të pas rreh qeky Shaqa prej të shtunës deri të enjten një herë në ditë po se po, por edhe dy herë, kurrë s’e kishe harru, edhe sot vuaj nga malterimet e tij”, tha Gashi.

Gjithnjë sipas Gashit, për shkak të maltretimeve që kishte marrë, kishte probleme shëndetësore.

“15 ditë rresht kam urinu gjak”, tha Gashi.

Gjithashtu, ai tha se emrin dhe mbiemrin e të akuzuarit nuk e ka ditur, por vetëm pasi që është arrestuar e ka mësuar.

Në fund, dëshmitari Gashi me lejen e trupit gjykues shfaqi këmbën e majtë në fund, ku sipas tij, shihet lëndimi i bërë nga maltretimet e marra dhe se këtë lëndim ia kishin shkaktuar persona të tjerë në prezencë të të akuzuarit Lutvija.

Për këtë, paraprakisht avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq tha se e kundërshtojnë një kërkesë të tillë të dëshmitarit Gashi, pasi që nuk e ka dëshmuar se lëndimi ka ndodhur gjatë tetorit të 1998-ës.

Më pas, seanca përfundoi me përfundimin e dëshmisë së Gashit, pasi që sipas gjykatësit të rastit, Kujtim Krasniqi, dëshmitari Sefer Ejupi nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë edhe pse e ka pranuar ftesë në mënyrë të rregullt, mungesën nuk e ka arsyetuar.

Paraprakisht, gjykimi filloi rishtazi pasi që u bë ndërrimi i anëtares së trupit gjykues, ku në vend të gjykatësit Kushtrim Shyti, si anëtare është gjykatësja Violeta Namani-Hajra dhe se me pajtimin e palëve në procedurë veprimet e ndërmarra deri tani u konstatuan të lexuara.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Comments