Kallëzim penal ndaj Fatmir Deharit për “mospërgjegjësi në detyrë” dhe “ndotje të mjedisit me mbeturina”

310
fresco

SPB Kërçovë ka paraqitur kallëzim penal kundër F.D. (51) nga fshati Sërbicë i Kërçovës, kryetar i Komunës së Kërçovës, për shkak të dyshimeve të bazuara për veprat penale “mospërgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbeturinave”.

Ai, duke vepruar në mënyrë të papërgjegjshme gjatë ushtrimit të detyrimeve të tij ligjore dhe duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, që nga viti 2020 ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për menaxhimin e mbeturinave dhe Ligjit për mbrojtjen e mjedisit.

Kryetari ka lejuar formimin e një deponie të egër, me sipërfaqe prej mijëra metra katrorë në një zonë të banuar të Kërçovës, ku, me urdhër të tij, punonjësit e komunës kanë depozituar, lënë apo shpërndarë mbeturina çdo ditë.

Kjo mënyrë e trajtimit të mbeturinave ka ndikuar në ndryshimin e cilësisë së ajrit, tokës, ujit dhe rrjedhave ujore, në një shkallë që mund të përkeqësojë kushtet e jetesës për njerëzit, kafshët dhe bimësinë, duke rrezikuar mbijetesën e tyre.

Comments