Qytetarët e Maqedonisë i paguajnë kamatat tre herë më shtrenjtë se qytetarët e Bashkimit Evropian. Lartësia e kamatës për amvisëritë apo personat fizik, vitin e kaluar në Maqedoni në mesatare ishte 6.2 për qind, ndërsa kamata mesatare në anëtaret e Eurozonës për amvisëritë dhe firmat ishte 1.89 për qind.
Bankierët thonë se vitet e kaluara, në Maqedoni shënohet një ulje e kamatave për kreditë e qytetarëve, edhe pse shtojnë se kjo nuk ndodh me atë ritëm që dëshirojnë qytetarët. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore, sipas të cilave, kamatat mesatare për qytetarët në dhjetor të vitit 2015 kanë qenë 6.8 për qind, për t’u zvogëluar në 6.2 për qind në muajin korrik të këtij viti, si rrjedhojë edhe të liberalizimit të politikës së Bankës Popullore në drejtim të rritjes së kreditimit përmes uljes së kamatave të kredive, por edhe trendeve pozitive në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Ekonomistët vlerësojnë se shkallët e kamatave varen prej ofertës dhe kërkesës së të hollave në tregun financiar, investimeve më të madhe private apo shtetërore, si dhe situatës stabile politike në një shtet. Gjithashtu, shtetet e rajonit nuk prodhojnë “para”, apo kanë nivel shumë të ulët të prodhimeve dhe shërbimeve që shiten jashtë, kanë minus në këmbimin tregtar andaj edhe nuk mund të ulin më shumë kamatat.
“Një nga faktorët kryesor jo vetëm në Maqedoni, por edhe shtetet e rajonit e që ndikon në kamatat më të larta në Ballkan në raport me shtetet evropiane, është fakti se ato më shumë importojnë se sa eksportojnë , apo me fjalë të tjera – pak ‘prodhojnë para’ në industri dhe shërbime”, thonë ekonomistët.
Sipas tyre, çdo kund në botë lartësia e kamatave të kredive ndërlidhet edhe me kamatat e kursimeve. Në shtetet e BE-së, qytetarët kanë kursime të mëdha, andaj shteti përpiqet që këto të holla t’i orientojë në konsum, andaj në vend të pagesës së kamatave të kursimeve, bankat evropiane paguajnë për ruajtjen e të hollave të depozitave. Si rrjedhojë e kësaj, edhe kamatat e kredive janë më të ulëta në shtetet evropiane.
Por megjithatë, edhe në shtetet evropiane ka dallime në kamatat në varësi prej më shumë faktorëve. Andaj, edhe kamatat më të ulëta janë shënuar në Francë me 1.66 për qind dhe Gjermani me 1.76 për qind. Luksemburgu, Austria, Sllovakia dhe Belgjika kanë pasur në mesatare kamata nën 2 për qind apo prej 1.93 deri 1.96 për qind. Normat e interesit apo kamata më të larta janë në Greqi me 5.02 dhe në Letoni me 5.55 për qind. Njëherazi, Sllovenia dallohet me kamata mesatare prej 2.84 për qind, transmeton KOHA.
“Niveli i kamatave varet nga më shumë tregues që pasqyrojnë gjendjen vendore ekonomike dhe trendet e zhvillimit ekonomik në çdo shtet në veçanti. Në këtë drejtim, një nga faktorët kryesor që dikton lartësinë e kamatave është edhe faktori i rrezikut në shtetet ku punojnë dhe jetojnë bankat dhe konsumatorët e kredive. Ndikojnë edhe harxhimet e ndryshme të bankës siç janë mbulimi i kredive me rrezik të kthimit, pagat e punëtorëve , marzha apo fitimi i saj etj”, thonë njohësit e tregjeve financiare.
Ndryshe, analizat e kostos së kamatave në shtetet e BE-së dhe shtetet e rajonit tregojnë se banorët e Ballkanit paguajnë për disa herë kamata më të shtrenjta se banorët e shteteve evropiane. Përdorimi i valutës së përbashkët – euro, ndikon në stabilitetin e sektorit financiar dhe nivelin e ulët të normave të interesit në Eurozonë. Gjithashtu, shtetet jashtë zonës së euros akoma i nënshtrohen kostos së rrezikut kreditor. Shkallët e kamatave në shtetet evropian që përdorin euro janë të ulëta edhe si rrjedhojë e ambientit të fuqishëm dhe efikas institucional që e imponon eurozona. /Koha.mk/