Koalicioni VV – LDK, sot takohen dy partitë
Sot për herë të parë do të takohen grupet punuese të krijuara nga LDK-ja dhe Vetëvendosja për të harmonizuar programin që mund të çojë drejt një marrëveshjeje paszgjedhore, shkruan Gazeta Express.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, sot do të zhvillojë takim me zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka konfirmuar për Gazetën Express se grupet punese të dy partive takohen nesër për të vazhduar bisedimet aty ku i kanë lënë.
Grupi Punues i Vetëvendosjes përbëhet nga Besnik Bislimi dhe Glauk Konjufca, ndërsa LDK-në në këto negociata e përfaqësojnë tre anëtarët e kryesisë, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti.
Takimi i fundit VV – LDK ka ndodhur më 10 tetor mes dy kandidatëve për kryeministër, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Së fundmi këto subjekte kanë goditur njëra-tjetrën me deklarata publike, megjithatë ato synojnë që Qeverinë ta bëjnë bashkë.
Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultatit preliminar ka fituar 25,49 për qind të votave, ndërsa LDK-ja 24,82 për qind.
Ndërkaq, VV-ja ka fituar më shumë se 50 për qind të votave që kanë ardhur me postë. /GazetaExpress/

