Skijatorët ankohen se në Qendrën Turistike për skijim në Tetovë edhe në vlugun e sezonit, mungojnë kushtet për të skijuar si rrjedhojë e ndalesave të shumta të ashensorëve si dhe mospërpunimit të shtigjeve për të skijuar, shrkuan Radio Evropa e Lirë.
“Sot këtu bora është e shkëlqyer, ka kushte shumë të mira për skijim, por gjithçka është falë natyrës, sepse faktori njeri s’ka bërë asgjë për të shijuar këtë madhështi që na e ka dhënë natyra. Unë jam skijatore me vite dhe më brengos kjo që skilifti është i stërngarkuar meqë punon me ndalesa dhe është i ngathët sepse është shumë i vjetër”.
“Teksa pres me orë për tu ngjitur, më ik dielli dhe unë kam hapësirë vetëm dy herë që të lëshohem për të skijuar brenda ditës, pra biletën mund ta shfrytëzoj dy, maksimum tri herë në ditë, përderisa më herët këtu vërtetë bëhej skijim i mirëfilltë sepse këtu janë shtigjet mbase më të mira jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin”, thotë Natasha Angellovska nga Shkupi.
Blerim Hoxha kishte ardhur me vajzën e tij 8 vjeçare për ta mësuar të skijoj.
Me të qeshur na thotë “të jetosh në Tetovë e të mos merresh me skijim s’është aspak e natyrshme. Ai shpreh revoltën e tij se autoritetet e vendit s’kanë investuar, siç thotë, as edhe një qindarkë në këtë rajon.
“Kushtet për skijim të mirëfilltë nuk jan; aspak të përshtatshme. E shihni sa të gjata janë radhët për tu ngjitur në ashensorin për skijim. Tërë dita të kalon në pritje. Mungojnë dhe shtigjet për të skijuar, nuk janë përpunuar në bazë të kategorive”, thotë Blerim Hoxha.
Muhamed Alili gjithashtu nga Tetova, thotë se Kodra e Diellit është perlë turistike, si në dimër apo verë, por mungon përkujdesja institucionale, siç është rasti me qendrën për ski në Mavrovë.
“Kodra e diellit është ligj për sa i përket terreneve më të përshtatshme për të skijuar, por kushtet varen nga ajo që dhuron natyra e jo nga faktori njeri. Duhet privatizuar sepse duket që shteti nuk është i interesuar për të zhvilluar turizmin në këtë rajon”, thotë Muhamed Halili.
Musli Shahini nga fshati Lisec që gjindet vetëm dy kilometra larg Kodrës së Diellit, për Radion Evrpa e lirë thotë se mbijeton e tërë familja nga kjo punë, por këtë vit turistët kanë qenë në numër gjithnjë e më të vogël për shkak të kushteve të pavolitshme që u ofrohen skijatorëve, por edhe atyre që kanë ardhur për disa orë të shijojnë atmosferën këtu.
“Po nuk kemi pasur punë, sot pra gjatë këtij vikendi kanë filluar të punojnë ski–ashensorët, deri të premten nuk punonin, ndërkohë që as shtigjet e borës nuk ishin shtypur nga makinat për përpunimin e borës. Kjo e zvogëlon shumë numrin e turistëve, të gjithë ikin në Mavrovë sepse shteti investon atje më shumë përderisa këtu me vite nuk është bërë asnjë investim, e shihni s`ka parking, me kilometra duhet ecur në këmbë me pajisjet për ski të cilat janë të rënda, kjo i dëbon turistët”, thotë Musli Shahini.
Operatorët turistik thonë se shteti duhet të investojë në zgjatjen e sezonit të skijimit duke investuar në mirëmbajtjen e shtigjeve për të skijuar edhe kur nuk ka të reshura të mjaftueshme dëbore.
“Nëse shteti do të angazhohej për të investuar në shtresimin e shtigjeve për skijim me borë në Mavrovë, po edhe në Kodrën e Diellit ku bën ftohtë gjatë muajve të dimrit, që nga nëntori apo dhjetori deri në pranverë do të zgjatej sezoni dhe me këtë edhe cmimet do të ishin dukshëm më të lira”, thotë Negar Selim nga agjencia turistike .
Naum Marinovski, profesor nga Fakulteti i Turizmit në Ohër, thotë se nevojitet hartimi dhe realizimi i një strategjie të mirëfilltë në nivel shtetëror, duke përfshirë projekte konkrete të afatizuara për zhvillimin e turizmit gjatë sezonit të dimrit.
“Janë bërë përpjekje për të zhvilluar turizmin në qendrën për të skijuar në Mavrovë dhe kjo ka rezultuar me sukses në një masë të caktuar, por gjendja është kritike në Kodrën e Diellit. Teleferiku nga qyteti i Tetovës është jo funksional për vite të tëra dhe kjo paraqet një anomali të theksuar sa i përket zhvillimit të turizmit në këtë rajon,…ndërkohë që ka kapacitete të pa shfrytëzuara vërehet një neglizhencë nga ana e organeve të shtetit”, thekson Naum Martinovski.
Drejtuesit e Kodrës së Diellit, kanë refuzuar të prononcohen për ankesat e qytetarëve para mediave. Përderisa, përfaqësuesit e partive politike shqiptare edhe një herë kanë theksuar nevojën e zhvillimit të barabartë të të gjitha viseve të Maqedonisë sa i përket investimeve që është dhe një nga pikat kryesore të platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, kundrejt mbështetjes së qeverisë së ardhshme./REL/