Komision vazhdon hetimin kundër tij, Ilir Meta ia merr valles me përfaqësues të minoriteteve
Ndërsa Komisioni Hetimor po zhvillonte seancën e radhës ndaj tij, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe përfaqësues të pakicave kombëtare në Shqipëri. Dallimet kulturore dhe dialogu ishin në qendër të diskutimeve. Më pas presidenti ka kërcyer valle me përfaqësues të minoriteteve.
“Kjo ditë na ofron një mundësi të madhe për të promovuar diversietin kulturor dhe për të kuptuar vlerat e tij. Për të promovuar dhe nxitur dialogun kulturor duke nxjerrë në pah pasuritë e kulturave të pakicave në vendin tonë, për të jetuar së bashku në paqe dhe harmoni dhe per të respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe të komuniteteve që jetojnë dhe punojnë në Republikën e Shqipërisë. Respektimi dhe mbrojtja e pakicave kombëtare si pjesë e pandarë e shoqërisë sonë është sanksionuar në Kushtetutë duke u njohur të drejtën të shprehin lirisht pa u ndalur dhe as detyruar përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore dhe të drejtën për ti ruajtur dhe zhvilluar ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjyhën e tyre amtare”, tha Meta.

