Komplot rus në Poloni me kanaçe shpërthyese

70
fresco

Prokurorët polakë kanë nisur hetimet mbi një komplot të dyshuar rus që përfshin kontrabandimin e kanaçeve të mbushura me eksplozivë në territorin polak.

Kanaçet, të maskuara si produkte me misër, dyshohet se janë futur në Poloni nga një shtetas ukrainas i rekrutuar nga agjencia e inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

Sipas raportimit të gazetës “Gazeta Wyborcza”, i dyshuari, i identifikuar si Władysław D., e ka marrë ngarkesën shpërthyese nga një depo e fshehur në një varrezë në Lituani dhe më pas i ka transportuar në Poloni, ku i ka lënë pranë një nyjeje autostrade afër qytetit të Lodzit.

Eksplozivët, me fuqi të barasvlershme me 2.8 kilogramë TNT, sipas ekspertëve do të kishin qenë të mjaftueshëm për të shkaktuar dëme serioze ndaj mjeteve dhe njerëzve. Hetuesit besojnë se një nga skenarët e mundshëm ishte përdorimi i tyre në sulme me dronë.

Zyra Kombëtare e Prokurorit të Polonisë ka konfirmuar për TVP World se rasti është pjesë e një hetimi më të gjerë për aktivitetet hibride të GRU-së në Evropë, përfshirë edhe tentativa për sabotim dhe dërgimin e pajisjeve shpërthyese përmes postës.

Comments