Komuna Çair, dje, sot dhe nesër!

89
fresco

Çairi, apo siç njihet për krenari, pjesa e vjetër e Shkupit, si qendra historike
kulturore, tregtare e religjioze nga e cila ka filluar historikisht jeta dhe ndërtimi i
qytetit të Shkupit, sot, statistikisht qëndron si komuna më popullsi më të dendur në
Ballkan, dhe më gjerë në Evropë. Sipas regjistrimit të fundit në vitin 2021, ai
numëron 62.586 banorë rezidentë. Marrë parasysh edhe jorezidentët dhe ata që de
jure kanë adresa të vendbanimeve tjera, por që de fakto banojnë në komunën e
Çairit, numri mund të variojë në 70-75 mijë banorë. Me Ligjin për Ndarjen e Re
Territoriale të vitit 2004, padrejtësisht e brutalisht territori i Çairit u reduktua
shumëfishi në 3.5 klm2, nga diku 150 klm2 që kishte me përcaktimin territorial të 15
prillit të vitit 1976, me Ligjin për Formimin e Komunave në Kuadër të Qytetit të
Shkupit, ku Komuna e Çairit përfshinte pjesën që sot përbëjnë komunën e Butelit
dhe atë të Gazi Babës.
Kështu, me ndarjen e re territoriale në vitin 2004, e vetmja komunë urbane
me shumicë shqiptare në qytetin e shkupit, u la Komuna e Çairit, por tashmë e
reduktuar shumëfishi në territor dhe me dendësinë e popullatës më të lartën në të
gjithë shtetin (kur ju la në udhëheqësi shqiptarëve). Një eksperiment getoizimi ky,
dhe atë në raport me zonat e shkëputura industriale dhe pamundësisë së shtrirjes
horizontale të popullsisë e investimeve të ndryshme. Një dëshmi e rradhës e
pasluftës së 2001-shit, e vazhdimësisë së karakterit dhe qasjes negative maqedonase
ndaj popullsisë dhe interesave shqiptare, por edhe dobësisë shqiptare për ta ndaluar
këtë eksperiment margjinalizimi në kohën e duhur dhe për ta zbatuar Marrëveshjen
e Ohrit, drejt dhe pa kurthe.
Me ndarjen e re territoriale në vitin 2004, komunës së Butelit me 36 mijë
banorë i përcaktohet territor prej 55 klm2, ndërsa Komunës së Gazi Babës me 72
mijë banorë, i jepen 93 klm2. Gjithmonë marrë parasysh së para vitit 2004, Komuna
Çair përfshinte – administronte të gjitha këto territore bashkë, “çuditërisht” atëherë
kur nuk udhëhiqej nga shqiptarë. Paradoksi godet duke e lënë Çairin (tashmë të
udhëhequr nga shqiptare) në raport asimetrik mes popullsisë, territorit dhe
historikut të komunës. Për ta kuptuar më qartë, me ndarjen territoriale të vitit 2004

dhe popullsinë e atëhershme, në komunën e Çairit (me udhëheqësi shqiptare) u
përcaktua të jetojnë 18.408 banorë në 1 klm2, ndërsa në komunën e Butelit (me
udhëheqësi maqedonase) 660 banorë në 1 klm2, e në Komunën e Gazi Babës (me
udhëheqësi maqedonase) 785 banorë në 1 klm2. Ja pra që edhe “drejtësia” e pas
luftës së 2001-shit, për dikë u bë nënë, e për dikë njerkë.
Për nga dendësia e popullsisë në territor, Çairi mund të krahasohet me
Manilan e Filipineve apo Mumbajin e Indisë. Me ndarjen e re territoriale jo vetëm që
humbi territor, por humbi edhe industritë e ndryshme të cilat ishin frymëmarrje
ekonomike për buxhetin komunal, e që sot këto resurse i takojnë komunës së Butelit
e Gazi Babës. Ky rikujtim për të mos e harruar të kaluarën, shkakun e një pjese të
konsiderueshme të pasojave të mbartura urbanistike në Çair, dhe jo vetëm. Kush
harron të kaluarën bën një përceptim të gabuar të proceseve që ndodhin më pas.
Për më tepër, kush harron të kaluarën, rrezikon që ajo ti përsëritet.
Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2005, fill pas tkurrjes – copëtimit territorial,
komuna tashmë e administruar nga udhëheqës shqiptarë, u gjend para një
vështirësie menaxhimi financiar, ashtu si një trup pa gjymtyrë, fillimisht me nevojën
për mbulimin e pagave administrative, menaxhimin me mirëmbajtjen financiare të
shkollave e çerdheve, si dhe obligimet ndaj ndërmarrjes publike Higjiena Komunale
Shkup, e më pastaj për të realizuar projekte infrastrukturore të nevojshme. Sfidë kjo
që zgjat me vite, pikërisht nga ky copëtim territorial. Ndodhur në këtë situatë, e
vetmja mënyrë në mbledhjen e taksave të konsiderueshme të mbajtjes gjallë të
buxhetit komunal, ishin dhe mbeten taksa e ndërtimit (kryesisht ndërtesave për
banim kolektiv) dhe ato tregtare të lidhura pashmangshëm me ndërtimin.
Ky hov i ndërtimit të banesave kolektive (si pika kyçe e akuzave për
problematikat në komunë), u nxit edhe me Ligjin për Trajtimin e Objekteve të
Ndërtuara ilegalisht, ligj me të cilën pastaj u abuzua në të gjitha komunat e vendit pa
përjashtim, si nga ndërtuesit ashtu edhe nga autoritetet, me arsyetimin dhe politikat
qeveritare se kjo ishte dhe mbetet një mënyrë për rimëkëmbjën e ekonomisë së
vendit nëpërmjet sektorit të ndërtimit. Që do të thotë se ndërtuesit paguanin taksat
komunale të ndërtimit (edhe ato për qytetin e Shkupit) mbasi shisnin apartamentet –
banesat dhe dyqanet poshtë tyre. Kështu filluan të dalin në skenë ndërtues të rinj të
cilët fillimisht nuk kishin pasuri, apo nuk kishin mjete financiare për të bërë pagesa
administrative të taksave të ndërtimit, pa shitur banesa – apartamente. Kjo një
praktikë e ndjekur gjithandej në territorin e vendit që në vitin 2011 me Ligjin për
Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara ilegalisht.
E ndërsa dalja në pah e ndërtesave të ashtuquajtura ilegale ne territorin e
Çairit, propaganduar muajt e fundit nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, ndodhi në
periudhën e prishjes së raporteve politike të qeverisë (konkretisht partisë së
kryeministrit) me kryetaren aktuale të Qytetit të Shkupit, e cila më pastaj në shënjë
hakmarrjeje dhe nacionalizmi anti-shqiptar, nuk legalizonte objektet e ndërtuara në
territorin e Çairit (udhëhequr nga partneri i koalicionit qeverisës së kryeministrit), si
me praktikën e mëparshme dhe të njohur në të gjitha komunat e vendit, anashkaluar
afatin e përcaktuar ligjor për legalizim. Edhe pse ndërtimet ashtu si në shumicën

dërrmuese të të gjithë ndërtimeve në komuna, bëheshin dhe bëhen kryesisht jashtë
afatit ligjor të përcaktuar me Ligjin për Trajtimin e Objekteve pa Leje. Jo rastësisht
qeveritë e pas vitit 2011, disa herë bënë ndryshim plotësim të ligjit në fjalë, duke
zgjatur afatin ligjor të legalizimit, e gjitha më qëllimin e rimëkëmbjes ekonomike të
vendit, e diku duke mbyllur sytë për kohën e ndërtimit të objekteve – shkelur afatin
ligjor të legalizimit.
Me lëvizjet demografike shqiptare për shkaqe ekonomike dhe politike,
Komuna e Çairit, si komunë e vetme urbane me shumicë shqiptare në qytetin e
Shkupit, me institucione të arsimit shqip të të gjitha niveleve, u bë dhe mbetet
gravitacion banimi i shqiptarëve që erdhën apo vijnë të jetojnë e punojnë në Shkup.
Si e tillë, edhe kërkesa për banim dhe ndërtesa kolektive, ka qene dhe mbetet më e
larta se në çdo komunë tjetër shqiptare. Në këtë mënyrë, kemi rritje të popullsisë në
territorin e ngushtë të 3.5 klm2, duke u ngarkuar logjikshëm komunikacioni rrugor,
vend-parkingjet, mbetjet urbane, sistemi i kanalizimeve-ujërave të zeza, kapacitetet
arsimore dhe shëndetësore.
Gjithmonë në pamundësi për zgjerim horizontal të kapaciteteve urbanistike e
investimeve kapitale për nevojat reale të banorëve, në Çair u bë zgjerim vertikal me
ndërtesa kolektive. Zgjerim vertikal i cili promovohet edhe nga kundër kandidati
elektoral i ish kryetarit dhe kryetarit aktual të Komunës Çair, me arsyetimin e
pamundësisë se shtrirjes horizontale të komunës. Por me ndryshim premtimi që,
ndërtimet do të bëhen në raport të drejtë me afatin për legalizim objekti. Që do të
thotë vetëm çështje e kohës së ndërtimit, para apo pas afatit ligjor për legalizim
(gjithmonë nëse nuk kemi nje zgjatje të re të kohës për legalizim, me ndryshim
plotësim ligji). Këto pikëpamje elektorale të kandidatëve dhe praktikës së kaluar të
ndërtimit të objekteve, përgjithesisht ndërtesa kolektive për banim, raporti me
dobinë dhe dëmin brenda territorit të ngushtë komunal, është si të thuhet në gjuhën
popullore, “Ali Hoxha, Hoxhë Ali”.
Nuk duhet harruar edhe një fakt i rëndësishëm i problemit urbanistik që ka
trashëguar komuna, diskriminimi dhe neglizhimi i qeverive, edhe para pavarësisë së
shtetit, në ish-Jugosllavi. Brenda këtij eksperimentit të krijimit të getos së madhe në
vitin 2004 (Çairin me mbi 70 mijë banorë në 3.5 klm2), u krijuan geto më të vogla –
nga lagjet historike, lënë qëllimshëm në harresë të gjithanshme për arsye të
politikave nacionaliste serbo – maqedonase edhe si tentim zbehje e asgjësimit të
autoktonisë shqiptare në Shkup. Diskriminuar e getoizuar pikërisht lagjet e vjetra
shqiptare, si lagja Dizhon, apo Serova (Serava), që është lagja më e vjetër e Çairit dhe
gjithë qytetit të Shkupit, lagje ku kanë jetuar patriotë, dijetarë e hoxhallarë të shquar
shqiptar.
Gjithsesi, në këto rrethana të një popullsie kaq të dendur, jetuar në një
territor kaq të ngushtë, me padrejtësi sistematike në të gjitha rrafshet, shqiptarët e
Çairit mbas zgjedhjeve lokale të vitit 2005, si në aspektin administrativ edhe atë
politik, për vite me rradhë arritën të mbijetojnë dhe të transformojnë komunën në
epiqendër kulturore, sportive e politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo si rezultat
i udhëheqsisë së komunës dhe forcës politike që nxirrte dhe mbështeste

udhëheqësit e saj. Ky vizion për Çairin, përtej kampeve politike dhe politikave ditore,
nuk meriton të shtremberohet dhe zbehet për shkak të përplasjeve politike për
pushtet politik e administrativ, sepse në pyetje është epiqendra shqiptare në qytetin
e Shkupit e cila reflekton gjithandej në hapësirën shqiptare, veprimtarinë, suksesin
dhe dështimin e saj.
Sot, kandidatët për kryetar komune të Çairit, rrjedhimisht organizimet e tyre
politike ku marrin pjesë, në një mënyrë apo tjetër, pak apo shumë, me veprimtarinë,
zërin ose heshtjen e tyre, kanë qenë përgjegjës për atë që është sot Çairi, me të
mirat dhe të këqiat e veta. Andaj e nesërmja kërkon një përgjegjësi më të madhe
bashkëpunimi dhe angazhimi, projekte reale investimesh kapitale me afate kohore
dhe përcaktim të burimeve financiare buxhetore për çdo projekt konkret. Pastaj
raporti me buxhetin komunal dhe mundësisë së investimeve nga pushteti qëndror,
duke mos lënë vend për manipulim elektoral me mega projekte në letër apo 3D, pa
mundësinë më të vogël për realizim, fatkeqësisht ashtu si është praktika e
premtimeve në fushatat tona zgjedhore lokale.
Gjithmonë për ta vazhduar rrugëtimin e Çairit në rimëkëmbjen e ish qëndrës
kulturore, tregtare e religjioze në gjithë Qytetin e Shkupit. E si qendër gravituese e
shqiptareve nga të gjitha qytetet e hapësirës shqiptare, me synim shtrirje horizontale
(jo vertikale), ndikim e veprim përtej territorit të saj aktual, zgjerim dhe shtrirje të
popullsisë dhe veprimtarive në komunën fqinje të Butelit (duke e marrë shqiptarët
udhëheqësinë e Butelit).
Pikësynim për ta përmirësuar gabimin historik të vitit 2004 (me sakatimin
territorial), e për ta kthyer komunën e Butelit në komunën e dytë urbane me
udhëheqësi shqiptare në Qytetin e Shkupit. Mbeshtetur maksimalisht në këto
zgjedhje lokale, kandidatin e vetëm shqiptar për kryetar komune në Butel, përtej
koalicioneve ditore e politike, përtej zënkave e politikave ditore brenda kampit
shqiptar, apo përtej interesave afatshkurtra nga kampet politike maqedonase. Krijimi
i këtyre dy komunave urbane me shumicë dhe udhëheqësi shqiptare Çair – Butel, t’ju
prijë proceseve për rimëkëmbjen e shqiptarëve në gjithë Qytetin e Shkupit, e më
gjerë në nivel republikan. Ngritja dhe zhvillimi i mëtejshëm i Komunës së Çairit, është
drejtësia që duhet të shkëlqejë në dekantimin e hakmarjes shqiptare për
padrejtësitë historike.

Comments