Konsultimet për Qeveri: PDK, LDK, AAK dhe NISMA i thonë “Po” Osmanit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nesër me fillim nga ora 12:00 i ka thirrur në takim kryetarët e partive politike, për t’u konsultuar për formimin e qeverisë së re.
Në këtë takim do të marrin pjesë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga sekretarja Vlora Çitaku.
“Po, e kemi marrë ftesë dhe Kryetari merr pjesë”, deklaroi ajo.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha për Klankosova.tv se pjesë e takimit të nesërm me presidenten do të jetë edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Kryetari Abdixhiku merr pjesë në takim”, deklaroi ai.
Në takim i pranishëm do të jetë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
” Kryetari Haradinaj do të merr pjesë në takim”, deklaroi zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemajli.
Në mesin e liderëve që iu përgjigj pozitivisht thirrjes së presidentes, është edhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj.
Këtë e bëri të ditur për Klankosova.tv vet ai.
“Po, NISMA do të merr pjesë”, tha Limaj.
Takimi ishte paralajmëruar qysh nga dështimi i formimit të qeverisë së propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës u mblodh me të vetëm pikë të rendit, atë për krijimin e qeverisë së re.
Kurti, në fjalën e tij pati lutur deputetët që ta votojnë qeverinë e propozuar nga ai, megjithëse ish-opozita nuk pati votë pro për kryeministrin në detyrë.
Qeveria e propozuar nga Kurti mori vetëm 56 vota “për”.
Derisa, presidentja Vjosa Osmani u pati deklaruar menjëherë pas dështimit të formimit të ekzekutivit se do t’i ftonte krerët e partive për takim, brenda afatit kushtetues.

