Kosova ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës nga Brazili

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, pas konfirmimit të një shpërthimi të gripit të shpendëve (H5N1) në këtë shtet.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi hyn në fuqi që nga data 20 maj 2025, dhe është ndërmarrë si masë parandaluese për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të penguar përhapjen e mundshme të kësaj sëmundjeje të rrezikshme në territorin e Kosovës.
Shpërthimi i virusit u konfirmua më 16 maj në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit nga autoritetet veterinare braziliane. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe në raste të rralla mund të përhapet edhe te njerëzit.

“Edhe pse deri më tani nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, AUV thekson se ndalimi i importit është një hap i domosdoshëm për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-it, kjo masë është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian, Kinës dhe shteteve të tjera, të cilat gjithashtu kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili.
“Vendimi do të qëndrojë në fuqi deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme në situatën epidemiologjike në Brazil dhe vlerësimit të rrezikut nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë”.