Krasniqi: Kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij, më e madhe se Kosova dhe demokracia
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, tha se ata nuk janë bllokues dhe se i vjen keq për atë që ka ndodhur – si për qytetarët, ashtu edhe për ata që kanë marrë besimin e tyre.
“Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës. Ne do ta mbrojmë qytetarin, për Kosovën është derdhur gjak”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi, ka thënë se kryeneçësia e Kurtit dhe partisë së tij ishin më e madhe se Kosova dhe demokracia
“Sot ishte seanca e 54-të e tentimit për konstituimin e Kuvendit, por ashtu sot janë bërë 166 ditë nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe Kosova ende nuk ka ende institucione. Tashmë kemi vënë disa rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit. Sot po kalon edhe afati 30 ditor i përcaktuar nga Gjykata për konstituimin e këtij institucioni madhor, dhe prapë asgjë nuk lëvizi. Ju i patë sikur i keni parë edhe 54 herë të tjera, si erdhën edhe ashtu shkuan pa papërgjegjësi, pa nder dhe pa trup. Asnjë tentim të zgjedhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët, përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe partisë së tij, ka qenë edhe më e madhe se sa përgjegjësia e kërkuar, më e madhe bile se shteti dhe demokracia dhe nga sot Kosova po ecën në një terren të rrezikshëm kushtetuese, institucional dhe shoqëror, në një zonë grim, ku shteti nuk ka më busull… Ky është rrezik real për shpërbërjen e funksionalitetit të shtetit tonë. Shteti pa institucione nuk është shtet funksional”, ka thënë Krasniqi.
Ai tha se vendi pas dështimit të zgjedhjes së Kuvendit rrezikon të mbetet i izoluar në skenën ndërkombëtare për shkak të qeverisjes së papërgjegjshme të Albin Kurtit, teksa ka përkujtuar se PDK-ja nuk ka qenë pjesë e këtij bllokimi institucional.