Krejt shteti aktivizohet kundër thirrjeve për ‘Shqipëri Etnike’
7 gusht 2025 – Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar masa për thirrjet ‘Shqipëri Etnike’, ‘Iliridë’ e ‘Çamëri’ në ndeshjen e së martës mes Shkëndijes dhe Qarabağut.
Për lojën e zhvilluar në stadiumin ‘Todor Proeski’ në Shkup, tashmë Zyra Themelore e Prokurorisë Publike ka hapur hetime.
Siç bëjnë me dije mediet në shtetin fqinj, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorin Publik, po punojnë për të zbardhur rastin.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme, në Shkup, kanë bërë të ditur se, mbështetur në materialet e incizuara dhe dokumentuara, po marrin masa.
Paraprakisht, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) dhe drejtuesit e klubit tetovar kishin bërë thirrje për sjellje sportive e brohoritje dinjitoze.
Sidoqoftë, thirrjet e disa tifozëve shqiptarë kanë aktivizuar krerët më të lartë të shtetit.
Për dallim nga reagimi me vonesë për thirrjet raciste të tifozëve maqedonas në Kumanovë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk ia ka huqur dakikun për të reaguar.
Në njoftimin e saj, presidentja maqedonase e ka cilësuar rastin si mësim të pamësuar dhe përsëritje të stories tragjike të Kumanovës.
“Dënimi i përgjithshëm i primitivizmit të tifozëve na dha shpresë të gjithëve për vendosmëri të fuqishme për t’u marrë me dukuritë josportive. Thirrjet për t’iu dhënë fund brohoritjeve nacionaliste e shoviniste dukeshin frymëzuese”, ka shkruar Siljanovska-Davkova.
“Hipokrizia dhe cinizmi është përgjigjje selektive për vandalizmin josportiv. Vetëm me një betejë të përgjithshme konsistente dhe të pakompromis ndaj shpërthimeve shoviniste, pavarësisht se nga kush vijnë, ne do të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme”.
Reagimeve iu është bashkëngjitur edhe Komitetit i Helsinikit për të Drejtat e Njeriutpër ato që i ka quajtur si thirrje nacionaliste e politike.
Sipas këtij Komiteti, thirrjet e tilla “janë larg prej manifestimit të sportivitetit dhe kontribuojnë në nxitje përçarjesh ndërtetnike, trondisin kohezionin ndëretnik, dhe bartin potencialin për të shkaktuar krime të urrejtjes”.
“Krahas kësaj, brengosës është fakti se thirrje të tilla nuk erdhën vetëm nga grupi i tifozëve ‘Ballistët’, por u brohoritën edhe nga një pjesë e audiencës në prani të zyrtarëve të lartë të shtetit. Ndeshja u përcoll nga kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ministri i Ekononomisë Valon Durmishi, ashtu sikurse edhe krerë partish si Ali Ahmeti e Arben Taravari, dhe prapsëprapë asnjëri nga këta zyrtarë të lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve ofenduese në këtë ndeshje”.
Në fund të kumtesës, Komiteti i Helsinkit u ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve përgjegjëse të veprojnë në përputhje me njoftimet e shpallura për të sanksionuar indidente të tilla.
Ndryshe, më 2 gusht, gjatë ndeshjes basketbollistike mes Maqedonisë së Veriut e Rumanisë të zhvilluar në Kumanovë, tifozët dhe publiku maqedonas kishin bërë thirrje raciste si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
Ndonëse kishin qenë të pranishëm, dinjitarët e lartë shtetërorë nuk kishin reaguar, por këtë e kishin bërë disa ditë me vonesë. /Nacionale/