Kriza me Greqinë/ RAMA: Nuk heshtim më për çështjet e njohura botërisht



Kryeministri Rama, referuar marrëdhënieve të tensionuar me Greqinë, tha sot se duhet gjetur një zgjidhje e përbashkët mes dy vendeve fqinje. Duke iu përgjigjur pyetjeve në Samitin e Diasporës shefi i qeverisë, foli për mbledhjen e një grupi të posaçëm nga të dyja vendet për të zgjidhur çështjet e trashëguara nga e kaluara, çështje të njohura botërisht sipas tij, për të cilat shqiptarët nuk mund të heshtin më.
“Marrëdhëniet me Greqinë kanë nevojë të ngrihen në një nivel tjetër që të kapërcejmë disa probleme që na shfaqen si pengesa të mbetura nga e shkuara. Kemi ngritur një grup të posaçëm që bashkë me palën greke të ulemi në tryezë, të diskutojmë hapur duke parë nga e ardhmja, duke u bazuar tek standardet evropiane për këto çështje.
Ka filluar një punë e përbashkët aspak e lehtë, por jemi shpresëplotë që do t’i kapërcejmë këto pengesa në të mirë të fqinjësisë. Ne kemi bërë të qartë që nuk kemi ndërmend të heshtim, të bëjmë sikur nuk kuptojmë dhe t’i nënshtrohemi fakteve të kryera. Për një kohë të gjatë fqinjët u mësuan pak keq, këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar, të heshtur që bënin sikur nuk kuptonin kur fjala ka qenë për çështje që nuk mund të anashkalohen.
Çështjet janë botërisht të njohura, mendojmë që për secilën prej tyre ka zgjidhje në një frymë bashkëpunimi. E kemi vënë re që çështjet rimarrin një peshë të caktuar dhe bëhen pengesë për arsye që janë të lidhura me situatat politike, debatin e brendshëm. Ua bëjmë Të qartë fqinjëve se çështjet nuk i kapërcejmë, duke i lënë të pazgjidhura. Jemi vullnet plotë për zgjidhjen më të mirë në bazë të parimit të reciprocitetit Ne kemi vullnet të plotë për t’u dhënë atyre zgjidhjen më të mirë duke u bazuar tek parimi themelor i reciprocitetit”,- tha Rama në Saimtin e Diasporës. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se do mbështesë nismat për programe në gjuhën shqipe, duke ndryshuar kështu strategjitë e gabuara në 25 vite./shqip/