Krizë në diplomacinë e Maqedonisë së Veriut – 24 përfaqësi pa drejtues
Shërbimi diplomatik i Maqedonisë së Veriut po përballet me një krizë serioze, me 24 përfaqësi diplomatike-konsullore të paplotësuara dhe një proces emërimesh që po ngadalësohet nga përplasje politike dhe dyshime për komprometim të integritetit të shërbimit të jashtëm.
Ndërkohë që ministria përpiqet të plotësojë vakancat nëpër ambasada dhe konsullata, emërime të diskutueshme po ngjallin reagime të ashpra në opinion. Një prej emërimeve që ngre dyshime është edhe ai i ish-deputetit Salim Sulejmani, i cili, sipas kritikave, duket se e “shiti” mandatin e deputetit duke braktisur përgjegjësitë e tij politike dhe tani po shpërblehet me post diplomatik në Arabinë Saudite. Ky rast bie në sy si shembull i keqpërdorimit të politikës dhe komprometimit të standardeve minimale të profesionalizmit në rrjetin diplomatik.
Procesi i emërimeve duhet të jetë i bazuar në meritë dhe profesionalizëm, ashtu siç kërkon edhe Ligji i ri për Punët e Jashtme, i cili parashikon që të paktën gjysma e ambasadorëve të jenë diplomatë karriere. Por, realiteti tregon një panoramë të ndryshme, ku ndikimet politike dhe shpërblimet për interesa personale po e dëmtojnë seriozisht besueshmërinë e diplomacisë maqedonase.
Në këtë situatë, vendet e rëndësishme diplomatike si ambasadat në Budapest, Gjenevë, Vatikan, Doha, Kajro, Athinë, si dhe disa misione të përhershme jashtë vendit mbeten pa drejtues të emëruar, ndërsa ushtruesit e detyrës mbulojnë përkohësisht funksionet kryesore.
Kjo krizë vjen pas largimit të tetë ambasadorëve nga detyra për shkak të shkeljes së procedurave ligjore dhe pas rotacioneve të shumta që kanë trazuar rrjetin diplomatik. Qeveria dhe MPJ duhet të ndërmarrin hapa urgjentë për të rikthyer profesionalizmin, transparencën dhe integritetin në procesin e emërimeve diplomatike, në të kundërtën dëmtohet rëndë imazhi dhe pozicioni i Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare.