Kryeministër, ndal shantazhet ndaj shqiptarëve!
Deklaratat e fundit të Kryeministrit Mickoski, ku kërcënon me shkarkim kandidatin e VLEN-it për komunën e Bërvenicës, janë të papranueshme dhe të rrezikshme për frymën demokratike të vendit.
Këto janë sjellje që e ulin nivelin e funksionit të Kryeministrit dhe tregojnë mungesë respekti ndaj partnerëve qeveritar dhe ndaj qytetarëve shqiptarë në përgjithësi.
Në vend që të jetë garant i barazisë dhe stabilitetit, Kryeministri përpiqet të ndikojë në proceset zgjedhore, duke favorizuar kandidatët maqedonas në komuna ku shumica shqiptare është e brishtë për shkak të mërgimit të lartë të popullsisë.
Kjo është një përpjekje e hapur për ndarje dhe përçarje etnike, dhe një qasje e papranueshme për një lider që duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie.
Gjatë fushatës zgjedhore, ligji u jep të drejtë kandidatëve të përdorin retorikë dhe premtime që ata mendojnë se u ndihmojnë të fitojnë, por askush, e aq më pak Kryeministri i vendit, nuk ka të drejtë të kërcënojë, të shantazhojë apo të ndikojë mbi vullnetin politik të qytetarëve.
Këto kanosje politike janë të rrezikshme, antiligjore dhe dëmtojnë besimin ndërmjet komuniteteve.
Kryeministri duhet të kuptojë se pushteti nuk është pronë personale apo partiake, por përgjegjësi për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

