Kryetari i Zubin Potokut: Nuk ishte qëllimi im të bëhesha i famshëm

212

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili fitoi zgjedhjet komunale të 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për prestigjiozen britanike “The Guardian”, teksa ka folur për “shkëlqimin e vëmendjes ndërkombëtare”, tha se qëllimi i tij nuk ishte të bëhej i famshëm.

“Nuk ishte qëllimi im të bëhesha një njeri i famshëm. Ne menduam se do të garonin më shumë kandidatë dhe nuk e imagjinonim se mund të fitonim”, deklaroi Zeqiri, i cili funksionin e tij tash e ushtron nga fshati Çabër, pas protestave të serbëve lokalë në veri të Kosovës.

“Ishte një javë mjaft stresuese”, pohoi Zeqiri, ndërsa shtoi se disa nga protestuesit që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe gazetarët, janë të lidhur me krimin e organizuar që sponsorizohet nga Beogradi.

“Ne jemi ende në fazën e krijimit të kabinetit tonë të ri, kështu që ishte keq të shihje revoltën që u shkaktua nga këto banda kriminale… veprimet e tyre bien ndesh me rendin tonë kushtetues”, theksoi Zeqiri, i cili detyrën e nisi më 25 maj në Çabër, larg objekteve komunale.

Comments