KU PO I KALOJNË LIDERË KOSOVARË PUSHIMET VERORE?
Ku po i kalojnë liderët kryesorë institucionalë e partiakë këto ditë të nxehta vere.
Shumë e nxehtë ishte kjo verë për Hashim Thaçin. Ideja e presidentit për korrigjim kufijsh me Serbinë ngriti temperaturat për shumkë nga qytetarët e thjeshtë e deri te liderë partish vendor e të huaj.
Pasi e nxiti gjithë këtë zheg politik Thaçi e kuptoi se ka nevojë për pak freski.
Ai në fundjavë u pa në plazhin e Shëngjinit në shoqëri të Behgjet Pacollit. Ky i fundit ditë më parë u pa teksa shijon bukuritë e bregdetit kroat për të vazhduar të hënën me Vlorën.
Vapën e këtyre ditëve të gushtit nuk e duroi dot në Kosovë as kryeministri Ramush Haradinaj. Ai i shoqëruar nga bashkëshortja Anita Haradinaj notoi e u freskua në vende të ndryshme të Shqipërisë.
Pavarësisht kësaj Haradinaj su mjaftua vetëm me plazh pasi pasi komentet për pandryshueshmërinë e kufirit nuk i la anash.
Komentet jo por deti i mungoi Kadri Veselit sivjet. Ai sipas zyrës së tij për informim nuk ka qenë e as s’e ka ndërmend të shkojë për pushime këtë verë.
Por nga ky institucion thanë se shefi i PDK’së po viziton bjeshkët e Kosovës thuajse çdo vikend.
Pushim sivjet nuk ka pas për Shpend Ahmetin, kryetar i Prishtinës dhe PSD’së.
Zëdhënësi Adonis Tahiri tha se shefi i tij ka shumë punë në kryeqytet por edhe në partinë e re.
Ndërkohë ish-shefi i tij në Vetëvendosje Albin Kurti tashmë ka përfunduar pushimet.
Në parti thanë se ai qëndroi gjashtë ditë në Ulqin me familje.
Ndërkohë e pamundur ishte të mësohet nëse lideri i LDK’së Isa Mustafa ishte ose do të shkojë diku për pushime./KlanKosova