Kundërpërgjigjet Hamasi, raketa në territorin izraelit
Hamasi ka marrë vendimin t’i kundërpërgjigjet sulmeve izraelite, duke lëshuar një ofensivë të vërtetë me lëshimin e disa raketave në territorin e Izraelit, përfshi qytetin qendror të Yavne dhe qyteteve kufitare me Gazën.
Për herë të parë që prej lëshimit të ofensivës ushtarake izraelite në rripin e Gazës gjatë pasdites së 5 gushtit, sirenat kumbuan në gjithë Izraelin, duke u bërë thirrje banorëve të strehohen në vende të sigurta, kundër bombardimeve.
Sipas raportimeve minutë pas minute nga vendngjarja, bombardimet po vijojnë dhe nuk kanë të ndalur.
Vetëm pak minuta më parë, ishte lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ai i cili tha se “të gjitha opsionet janë të hapura” për konfliktin mes palëve.
Situata në rripin e Gazës është në tensionet më të larta të paktën në vitet e fundit, pas goditjes së fundit izraelite me predha. Mes viktimave, bëhet me dije se është edhe një vajzë 5-vjeçare, duke treguar se nuk do të ketë mëshirë për të arritur qëllimet politike.
Nga Izraeli u deklarua se sulmi ishte ndërmarrë kundër disa eksponentëve të grupimit organizativ nacionalist me bazë palestinezët suni-islamikë, Hamas.
Në fakt, lideri i xhihadit palestinez, Taysir al-Jabari, mbeti realisht i vdekur prej sulmeve dhe ishte i pari i raportuar mediatikisht, në goditjen e ndërmarrë prej Izraelit.
Ai e mbante postin e tij prej nëntorit 2019 dhe ishte ndër figurat kryesore të Hamasit.
Këta të fundit nga ana tjetër, kanë mohuar çdo pretendim izraelit për një sulm të organizuar kundër izraelitëve dhe kanë deklaruar se sulmi ka qenë tërësisht i vullnetshëm dhe i pajustifikueshëm.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka ngritur vendstrehime për bombardimet në zona të caktuara. Gjithashtu, janë thirrur në detyrë 25 mijë rezervistë, në rast të përshkallëzimit të situatës, gjë e cila shihet si shumë e mundshme për momentin.
Sa i përket reagimeve botërore, nga ana e amerikanëve është bërë thirrje për qetësim të situatës, por këto nuk janë dëgjuar nga pala izraelite, e cila e vijon sulmin operativ.
Vetë hapësira ajrore në veri të Izraelit është bllokuar, duke i devijuar kështu fluturimet, për të shmangur çdo tragjedi të mundshme.
Armata luftarake elitë, e njohur si Brigada Golani, si edhe trupat e armatosura izraelite, po zhvendosen në kufirin pranë Gazas.
Ndërsa, për ndërmjetësim, është ofruar pala egjiptiane, e cila ka raporte me të dyja palët.
Por, në binarët e një ofensive që vijon, ende nuk ka përgjigje diplomatike, përpos asaj ushtarake. /Albanianpost.com