Kurti dhe Basha konfirmojnë bisedimet për qeverinë e re, “opozita” i mohon komunikimet: Me kë po bisedon VV-ja?
Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë treguar se kanë filluar diskutimet për formimin e Qeverisë së re. Një gjë të tillë e ka konfirmuar në detyre dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Megjithatë, ata nuk kanë treguar se me kë janë duke i zhvilluar këto diskutime.
Në anën tjetër, partitë opozitare kanë bërë me dije se nuk kanë ndonjë komunikim me VV-në në lidhje me këtë çështje.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili vije nga VV-ja, ka bërë me dije që kjo parti është në kontakt me partitë tjera.
Në një intervistë mbrëmë në RTK, ai ka thënë se këto bisedime janë duke u zhvilluar edhe në kohen e realizimit të kësaj interviste.
“Unë e di që diskutime ka me subjekte, sidomos mes mandatarit dhe subjekteve të tjera, na e dijmë që Lëvizja Vetëvendosje i pat ofru një bashkëpunim atëherë LDK-së, ka pasur një bashkëpunim me z. Limaj, ato diskutime janë duke vazhdu derisa ne flasim këtu”, ka thënë Basha.
Edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, dje e ka konfirmuar se është duke biseduar për formimin e qeverisë Kurti 3.
Gjatë një tubimi me mërgatën e Kosovës në Londër, Kurti e ka pranuar se do të jetë vështirë sigurimi i shumicës parlamentare.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri në dielën më së larg, të hënën nuk mundemi me u përgatit. Sepse të hënën ose e kemi bë qeverinë ose nuk e kemi bë (qesh). Prandaj në këto ditët e mbetura, jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se, s’di qysh me ua shpjegu, ndoshta e keni ndëgju edhe ju vet, është intoksu atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë se ide, punë e pasion”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk do t`i ndalë përpjekejt për formimin e qeverisë së re.
“Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”, ka thënë Kurti.
As Kurti dhe Basha nuk kanë treguar se me cilat parti apo deputetë janë duke komunikuar për këtë çështje.
Deri me tani PDK, LDK dhe AAK kanë bërë me dije nuk janë të interesuar për një bashkëqeverisje me partin e Albin Kurtit.
Madje, zyrtarët e këtyre partive kanë treguar se nuk janë as në kontakt me VV-në.
I vetmi subjekt politik që më herët ka biseduar me VV-në për këtë çështje është Nisma Socialdemokrate.
Edhe zyrtarët e kësaj partie kanë deklaruar se tani nuk kanë kurrfarë komunikimi me VV-në për formimin e qeverisë Kurti 3
Deputetja e kësaj partie, Arbëreshë Krasniqi, ka treguar se nuk janë në bisedime me VV-në.
Në një prononcim për “Kallxo.com”, ajo ka përseritur kërkesat e Nismës ndaj VV-në.
“Ne kemi një kërkesë që është tanimë e njohur. E vetmja mundësi që NISMA t’i ofroi bashkëpunim LVV-së është që të lëviz nga pozicioni kryetari i Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.