Kurti: Do ta detyrojmë Serbinë që t’i njohë të gjitha dokumentet e Kosovës

630

Është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po diskutohet për tarifën prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, ka thënë se çështja e reciprocitetit është votuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011.

Sipas tij, përmes asaj rezolute që është votuar atë kohë në Kuvendin e Kosovës të datës 7 dhjetor të vitit 2011, një ndër pikat e saja ishte që Qeveria duhej të merrte masa për reciprocitet ndërkombëtar, politik e ekonomik me Serbinë, raporton lajmi.net.

Po ashtu, ai ka thënë se, në këtë rezolutë ishte kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i forcojë të gjitha mekanizmat shtetëror për të zbatuar masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Aplikimi i tarifës nga ana e Kosovës u shfrytëzua si pretekst nga Serbia për të refuzuar dialogun. Ndërkaq efekti i tarifës 100 për qind ka qenë minimal”, është shprehur Kurti.

Tutje ai ka thënë, se pavarësisht se në Bruksel është arritur marrëveshja për lëvizjen e lirë, një marrëveshje e tillë nuk zbatohet në praktikë, kjo pasi që Serbia nuk i njeh dokumentet e Kosovës.

“Çdo heqje e një barriere nënkupton një njohje më tepër e sovranitetit territorial të Kosovës. Ne duhet ta detyrojmë Serbinë që të na njoh një nga një të gjitha dokumentet e Kosovës që e dëshmojnë sovranitetin e shtetit tonë”, deklaroi ndër të tjerash Kurti.

Ai ka thënë se edhe më tutje Serbia vazhdon të mos e njohë asnjë dokument të Kosovës. /Lajmi.net/

Comments