Kurti e Osmani takojnë krerët e institucioneve të sigurisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministri Kurti kanë pritur sot në takim krerët e institucioneve të sigurisë të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës me anë të një komunikate për media, shkruan lajmi.net.
Ata kanë bërë të ditur se qëllimi i takimit ishte raportimi i fundvitit për çështjen e sigurisë si dhe sfidat në këtë sektor.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në takim të përbashkët me kryeministrin e vendit, z.Albin Kurti, kanë pritur institucionet e sigurisë lidhur me raportimin e fundvitit si dhe përgatitjen për vitin pasues lidhur me sfidat në fushën e sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjeneralleitënant Bashkim Jashari, drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë Samedin Mehmeti. /Lajmi.net/