Kurti paralajmëron sezon të gjatë zgjedhjesh në Kosovë

67
fresco

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i ka dërguar dy herë ftesë Lidhjes Demokratike, por, sipas tij, mënyra e vetme që LDK-ja do të pranonte të bëhej pjesë e qeverisë ishte që në koalicion të përfshihej edhe Partia Demokratike.

“Duke e parë disponimin e elektoratit të Lëvizjes Vetëvendosje, jam përpjekur që ta shkëpus LDK-në nga PDK-ja. Në vitin 2020 e arritëm, por vetëm për 51 ditë. E provuam përsëri me lidershipin e ri të LDK-së, por pa sukses. E vetmja menyrë që LDK-ja do të pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne ishte që edhe PDK-ja të jetë aty brenda. Për ne kjo është e papapranueshme sepse është e dëmshme”, pretendoi ai.

“Dua të theksoj se unë dhe LVV-ja jemi të interesuar, andaj jemi të angazhuar të punojmë që ta zhvillojmë shtetin, jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj, para çdo marrëveshjeje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç se drejt zgjedhjeve të reja”.

Kurti ka theksuar se nuk e kupton “saktë” sjelljen e LDK-së në skenën aktuale politike. LDK-ja, sipas tij, refuzon të hyjë në një qeveri të udhëhequr nga ai dhe nuk dëshiron të formojë qeverinë e saj me partitë e tjera, por insiston në zgjedhje të reja për të përsëritur sloganin se ata dalin të parët – diçka që, sipas tij, nuk mund të ndodh.

“Në politikë , përveç mospajtimeve, janë edhe çuditë. Unë s’e kuptoj saktë LDK-në. Nuk duan qeveri që udhëhiqet nga unë, nuk duan ta formojnë qeverinë e tyre me partitë e tjera, por insistojnë në zgjedhje të reja, ku do ta përsërisin atë sloganin që ‘ne dalim te parët’. Nuk dalin të parët. Por është pak e çuditshme për mua kjo sjelle. O’ bëj koalicion si i treti me të parin, o’ bëj koalicion me të dytin kundër të parit”, sugjeroi tutje ai.

Kryetari i LVV-së ka nënvizuar se përpos balotazhit, vendin e presin edhe dy palë zgjedhje të reja parlamentare – në dimër dhe në pranverë – për shkak të skadimit të mandatit të presidentes. Prandaj, ai ka kërkuar që të shmangen zgjedhjet në dhjetor.

“Pos balotazhit, do të kemi edhe dy herë zgjedhje – në dimër dhe në pranverë. Kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi edhe katër muaj deri në zgjedhjen e presidentit”, vlerësoi mes tjerash Kurti.
“Duhet ta presim zonjën presidente për hapat e mëtejshëm. Unë besoj se do të kishte qenë mirë të ishim kursyer së paku nga zgjedhjet e dhjetorit. Nëse s’ia dalim t’i shmangim zgjedhjet në prill, atëherë së paku në dhjetor të mos i kishim”, shtoi ai.

Kosova është futur në një krizë të thellë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi mund të shkojë drejt një cikli të ri zgjedhor në përpjekje për t’iu kthyer normalitetit.

Comments