Kurti s’e uroi, por Ramës i dërgojnë mesazhe prej Macron e Starmer deri te Zelensky

Liderët më të njohur botërorë, nga Emmanuel Macron e Keir Starmer deri te Volodymyr Zelensky, kanë shprehur urime ndaj Edi Ramës, i cili me shumë gjasë do të jetë kryeministër edhe për një mandat, pas fitores në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Në disa urime të ripostuara në llogarinë e tij në rrjetin social “X”, Rama vërehet se ka marrë mesazhe nga Giorgia Meloni, Pedro Sanchez, Volodymyr Zelensky, Keir Starmer, Orban Viktor, Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron dhe Antonio Costa.
Megjithatë, vërehet se askush nga liderët shtetërorë në Kosovë, s’e ka uruar ende Ramën.
Ndaj kësaj, ka reaguar ish-kryediplomati Petrit Selimi. Në një shkrim në rrjetin social “X”, ai ka thënë se është interesante të shohësh se si asnjë lider Kosovar nuk e ka bërë ende një gjë të të tillë.
Megjithatë, sipas tij, nuk është befasuese duke parë “mungesën e lidershipit që po dëshmohet në Kosovë”.
“Fitore historike”…është interesante të shohësh të gjithë liderët e mëdhenj botëror duke uruar Edi Ramën, por asnjë lider kosovar s’e ka bërë këtë. Nuk është befasuese, duke parë mungesën e lidershipit që po e shohim në Kosovë, por megjithatë interesante” – ka shkruar ai, duke shpërndarë urimin e kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Në anën tjetër, analisti politik Blerim Latifi, ka vlerësuar se urimet që po merr Rama tregojnë diplomaci të mençur.
Sipas tij ata nuk e përkrahin Ramën përsonalisht, por flet më shumë për rolin e politikës shqiptare në përgjithesi në aspektin e diplomacisë.
“Shikoni urimet që po merr Rama për fitoren në zgjedhjet e 9 majit. Nga pothuajse të gjithë liderët e rëndësishëm të botës. Kjo flet për një fakt bazik: imazhi i Shqipërisë në botë ka ndryshuar për mirë, në mënyrë rrënjësore. Kjo nuk ka ardhur vetvetiu. As nuk është mbështetje personale për Ramën. Parasegjithash ka ardhur nga diplomacia e mençur që shteti shqiptar ka ndjekur gjithë këto vite. Kuptohet roli personal i Ramës në këtë drejtim ka qenë vendimtar” – ka shkruar Latifi.
Theksojmë se numërimi i votave në Shqipëri, tashmë po shkon drejt kutive të fundit.
Bazuar në rezultatet e deri tashme, Edi Rama ka 52.16 për qind apo rreth 733 mijë vota. Kurse, Sali Berisha 481 mijë vota, apo 34.26 për qind.
Dallimi mes Ramës dhe Berishës aktualisht, është rreth 250 mijë vota.
Nëse flasim me numrin e mandateve, PS-ja ka siguruar 83 deputetë, PD-ja 50, PSD-ja 3, kurse Mundësia është rritur dhe ka dy mandate aktualisht.