Kurti: Tentova me LDK-në dhe Nismën, s’deshën qeveri të udhëhequr nga unë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në një konferencë për media nga Zyra e Kryeministrit e akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për moszgjedhjen e qeverisë së re.
Albin Kurti tha se tentimet e tij ishin “shteruese” drejt LDK-së dhe Nismës për bashkëqeverisje.
“Dje Kuvendi, siç e pamë, nuk arriti të zgjedhë qeveri të re, përkundër tentimeve të disahershme shteruese dhe gatishmërisë tonë të hapur dhe të sinqertë, përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk e dhanë rezultatin të cilin e synuam. Asnjë nga partitë parlamentare të cilave u kemi bërë ftesë nuk ka pranuar të bëjë një marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës”, tha ai.
Kurti tregoi për ftesat që ia bëri LDK-së dhe kontaktet me Nismën.
“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha ai.
Me këto dy parti, Kurti tha se “do të mund t’i jepnim zgjidhje edhe çështjes së zgjedhjes së Presidentit, e cila nga pret vetëm pas katër muajsh”.
Vendi, tha ai, “nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja”.

