Kuvendi i miratoi ndryshimet ligjore, lehtësohet regjistrimi i veturave në Maqedoni

121

Deputetët sot në vazhdimin e seancës së 59-të pa diskutim me 64 vota “pro” pa të përmbajtur dhe kundër e miratuan Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për automjete me pocedurë të shkurtuar.

Me ndryshimet ligjore lehtësohet procesi i regjistrimi të automjeteve, kështu që u jepet mundësi stacioneve të kontrollit teknik të leshojnë vërtetim për një automjet të regjistruar, bazuar në kritere të përcaktuara më parë, i cili do të identifikohet me vulën në lejën e qarkullimit, si dhe regjistrimi të kryhet në të gjithë territorin e vendit, e jo si më parë, në afërsi të vendit të banimit.

Deputetët gjatë pjesës së pasditës sot në Kuvend, mbajtën vazhdimin e disa seancave, përkatësisht të seancave 43, 51, 55, 59 dhe 60.

Në vazhdim të seancës së 60-të, deputetët përfunduan debatin e përgjithshëm mbi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë në lexim të parë dhe e dërguan atë në lexim të dytë në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri dhe Komisionin legjislativ-juridik të Kuvendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke sqaruar Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë, tha se ndryshimet nuk janë të gjera, por janë të rëndësishme dhe paraqesin një vazhdimësi logjike të Ligjit të ri për Punët e Brendshme dhe sigurojnë harmonizim me konceptin e ri të organizimit dhe menaxhimit në polici.

“Qëllimi është të sigurohet një kuadër ligjor më i qartë, më funksional dhe më i qëndrueshëm që i përgjigjet nevojave reale të sistemit. Ndryshimet kanë të bëjnë me kushtet për emërimin e Drejtorit të Byrosë së Sigurisë Publike. Duke u udhëhequr nga parimi i profesionalizmit, përvoja e punës prej 12 vite përcaktohet ekskluzivisht në çështjet policore dhe ky është ndryshimi kyç në përputhje me atë që kemi si zgjidhje aktuale. Ne besojmë se kjo do të rrisë nevojën për përvojë profesionale të Drejtorit të BSP-së, i cili duhet të jetë polici i parë. Së dyti, zgjerojmë kornizën e arsimit të pranueshëm nga katër fakultetet aktuale, në një gamë më të gjerë fakultetesh të shkencave shoqërore”, deklaroi Toshkovski.

Ai tha se lidhur me përvojën e nevojshme të punës të shefave të Sektorëve të Punëve të Brendshme, po bëhet harmonizimi i viteve të nevojshme të përvojës së punës në pajtim me sistematizimin, ashtu që kërkohet përvojë eksplicite e punës në kuadër të pozitës konkrete të punës, që është shumë më ndryshe se deri tani, me çka do të mundësohet profesionalitet dhe mobilizim më i madh i të punësuarve në MPB.

Deputeti dhe koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se edhe pse të vogla, ka mjaftë ndryshime serioze, të cilat propozohen në Ligjin për polici.

“Vlerësojmë se është mirë që në ligjin 25 për qind nga mjetet për asistim të shkojnë në llogari të MPB-së dhe në atë mënyrë do të përmirësohet buxheti i Ministrisë dhe kjo është mirë si ndryshim. Lënia e mundësisë që për drejtor të policisë të bëhen të gjithë kandidatët që kanë arsim në sferën e shkencave sociale, vlerësoj se është shumë gjerë, nëse merret parasysh se cilat fakultete përfshihen në sferën e shkencave shoqërore, me të vërtetë po lihet një hapësirë më e madhe. E dyta, vlerësoj se nuk duhet pozitat këshilldhënëse të kenë mundësi të bëhen drejtorë të policisë së Maqedonisë së Veriut, pasi nëse ka qenë vetëm në pozitë këshilldhënëse, nuk ka qenë në pozitë udhëheqëse në asnjë segment të MPB-së, madje edhe në nivel më të ulët, e nuk shoh gatishmëri adekuate që të udhëheq me tërë atë aparat policor, e nuk ka udhëhequr as me pesë nëpunës policorë”, tha Spasovski.

Kuvendi me 63 vota “për”, asnjë të “përmbajtur” dhe “kundër” e dërgoi në lexim të dytë Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për banim.

Zëvendës ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, duke i elaboruar propozim ndryshimet, tha se ato janë teknike, duke marrë parasysh se edhe pse ky ligj është 12 vite në fuqi, nuk ka treguar rezultate për shkak të qëndrimeve të paqarta.

“Duhet të krijohen kompani të cilat do të menaxhojnë dhe kanë licenca dhe të rregullohet mënyra dhe objekti për menaxhim, si dhe mënyra e pranimit, gjegjësisht krijimit dhe trajtimit të të dhënave personale, të lidhura me këtë. Me këtë propozim-ligj janë parashikuar edhe mbajtja e seancave, të cilat do të jenë audio dhe vizuale nëpërmjet internetit, e për funksionim më të mirë dhe më të shpejtë. Po vendosen edhe kontrolle mbi kryetarin e bashkësive, kur nuk ka administrator të caktuar”, deklaroi Zekolli Shaqiri.

Deputetët, me 61 vota “për”, pa të përmbajtur ose kundër e kaluan në lexim të dytë Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për peshkim dhe akuakulturë.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Albrim Hoxha, duke sqaruar ndryshimet e propozuara, tha se me to rregullohet tregu, organet kompetente, mbrojtja e peshqve dhe trupave tjerë ujorë, ndihma për peshkatarët, kompensimi për dëmet, peshkimi dhe prodhimi e materialeve për peshkim, si dhe çështje tjera të rëndësishme në fushën e peshkimit.

“Me ndryshimet parashikohet që zbatimi i ndryshimeve në Ligjin për importin e produkteve të peshkimit dhe akuakulturës të fillojë tre vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të mundësojë ndërtimin e sistemit të kërkimit në përputhje me sistemin e BE-së”, deklaroi Hoxha.

Kuvendi, pa debat, me 62 vota “për”, pa kundër dhe pa të përmbajtur miratoi konkludimin me të cilin konstatoi se interpretimi autentik i nenit 2 të Ligjit për sigurinë materiale për personat e papunësuar për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominante shtetërore, e parashtruar nga deputeti Brane Petrushevski, nuk është i justifikuar dhe nuk ka nevojë për interpretimin autentik për arsyet e përfshira në raportin e Komisionit ligjvënës të Kuvendit.

Kuvendi, në kuadër të seancës së 43-të, pa debat e kaloi Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës së shenjave, Propozim ligjin për ndryshimin e Ligjit për sigurimet shoqërore për personat e moshuar, Propozim ligjin për ndryshime të Ligjit për organizatat e invalidëve, Propozim ligjin për ndryshimin e Ligjit për furnizime materiale të pjesëmarrësve në Luftën Nacionalçlirimtare – të gjitha në lexim të parë dhe me 64 vota “për”, pa vota të përmabajtura dhe kundër janë kaluar në lexim të dytë në komisionet përkatëse parlamentare./MIA

Comments