Zemra e tij nuk punon më, por zemra e njeriut të cilin ai e kishte shpëtuar është duke funksionuar pa asnjë problem.
Kirurgu i zemrës, polaku Zbigniew Religa dhe pacienti i tij Tadeusz Zitkevits kanë një lidhje unike, siç shihej edhe në foton e National Geographic.
Doktori i lodhur, afër pacientit të tij, pas një operacioni që zgjati 23 orë, emocionoi të gjithë ata që e panë foton – e cila ishte futur në listën e 100 fotove më të mira të publikuara në historinë e revistës, transmeton Gazeta Express.
Sot doktori nuk është më gjallë, por pacienti po – i cili ka treguar historinë mahnitëse për publikun. Nuk ishte vetëm një operacion i vështirë, por edhe i pamundur.
Shkencëtari i cili kreu më 1986 operacionin e parë të transplantit të zemrës në Poloni, dëshiroi që ta merrte vetë përsipër shpëtimin e 61 vjeçarit, Tadeusz Zitkevits, të cilin doktorët e tjerë nuk u pajtuan që ta operonin për shkak të moshës së tij.
Në vitin 1987 u gjet dhuruesi i duhur. Pa humbur kohë, Religa informoi pacientin se operacioni duhet të fillojë menjëherë. Në fund të ditës, fotografia më poshtë ishte bërë nga fotografi amerikan James Lee Stanfilnt nga National Geographic.
Pas 23 orësh në dhomën e operacionit, Religa “i vdekur për gjumë” qëndronte roje pranë pacientit të tij, duke e shikuar me ankth përparimin e shëndetit të tij në monitorët që ishin lidhur, transmeton Gazeta Express.
Stanfilnt nuk u fokusua vetëm në doktorin e palodhshëm dhe pacientin e tij, i cili po luftonte për jetë me ndihmën e makinave të teknologjisë, por ai përfshiu edhe një asistent të rraskapitur të kirurgut, i cili nuk mund të qëndronte më dhe ra për të fjetur në dysheme në skajin e dhomës së operacionit.
“Në këtë epokë të duhet diçka më shumë se veç një foto e mirë. Të duhet informacion dhe elemente që shtojnë dimenzion dhe dramë në fotografi, dhe që ndihmon në tregimin e historisë”, thoshte fotografi.
Historia në këtë rast kishte një fund të lumtur. Ditën e nesërme, pacienti u shërua dhe po ndjehej më shëndetshëm se kurrë më parë. Religa u çlirua, pasi transplanti i dytë i tij i zemrës u përfundua me sukses.
Kirurgu polak shkëlqeu në fushën e transplantimeve gjatë viteve të 90’a, dhe më 2004 ai ishte shpërblyer për krijimin e një pompe për të mbështetur funksionin kardiak.
Gjithashtu, ky kirurg hero i hyri edhe politikës. Ai u zgjodh Ministër i Shëndetësisë dhe shërbeu nga viti 2005 deri më 2007. Por, karriera e tij përfundoi me kaq, pasi më 2009 ai fitoi kancer në mushkëri i cili ia mori jetën.
Edhe pse si doktor i dinte rreziqet e cigares, ai ishte një maniak i cili gjithmonë deklaronte se nuk do ta linte duhanin. Kur iu zbulua sëmundja, ajo tashmë ishte në shkallën e fundit.
Ai vdiq dhe funerali i tij u transmetua live në televizionet në Poloni. Që të dy, si fotografi ashtu edhe pacienti 88-vjeçar, Zitkevits Tadeusz ishin aty. Zitkevits mbante fotografinë me kirurgun, doktorin hero i cili po qëndronte pranë tij kur ai ishte shtrirë në sallën e operacionit.

