Latifi, Ramës: Si mund ta quash Thaçin “vëlla” e të darkosh me ata që sajuan dosje kundër tij

346
fresco

Analisti dhe profesori i Filozofisë, Blerim Latifi ka komentuar darkën e mbrëmshme në Beograd ku pjesëmarrës ishte kryeministri shqiptarë, Edi Rama, bashkë me liderët serëbë, Ana Bërnabiq dhe Aleksander Vuçiq si dhe ai maqedonas dhe malazez.

Latifi në një postim në Facebook ia ka shtruar katër pyetje kryeministrit shqiptar, Edi Rama, shkruan lajmi.net.

Ai ka shprehur habinë e tij se si është e mundur që Rama ta quaj “vëlla” Thaçin, e njëkohësisht të ulet në darkë me ata që kanë sajuar dhe dërguar në Hagë qindar dosje për ta dënuar atë.

“Si është e mundur moralisht që, si kryeministër i Shqipërisë, të ulesh në një darkë miqësore me ata të cilët nuk lënë gur pa lëvizur që ta rrënojnë shtetësinë e Kosovës?”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

I kam kundërshtuar gjithmonë ata që tek Edi Rama shohin një rimishërim të Esad Pashë Toptanit të viteve 1913-15 apo të Ahmet Zogut të vitit 1924. Janë rrethana të tjera historike dhe për dallim prej tyre Ramës nuk i duhet ndihma e Beogradit për ta marrë ose mbajtur pushtetin në Tiranë. Por kur e shoh fotografinë nga darka e mbrëmshme në Beograd, nuk mundem të mos i shtroj disa pyetje, thjesht morale:

– Si është e mundur moralisht ta quash Hashim Thaçin vëlla dhe njëkohësisht të ulesh në një darkë miqësore me ata që kanë sajuar dhe dërguar në Hagë qindra dosje për ta dënuar Hashim Thaçin me dënimin më të rëndë që mund të marrë një njeri: për krime kundër njerëzimit?

– Si është e mundur moralisht që, si kryeministër i Shqipërisë, të ulesh në një darkë miqësore me ata të cilët nuk lënë gur pa lëvizur që ta rrënojnë shtetësinë e Kosovës?

– Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, duke kuptuar dobësinë aktuale të Bashkimit Europian dhe shpërqendrimin e Amerikës, i janë i rikthyer planeve për të rindërtuar hegjemoninë e re serbe në rajon?

– Si është e mundur të ulesh në një darkë miqësore me ata që, të nxitur nga Rusia, kërcënojnë hapur ta ndezin flakë edhe njëherë Bosnjën, ndërsa vetëm pak kohë më parë e kanë shkatërruar sovranitetin e Malit të Zi, duke sjellë në pushtet një qeveri, të cilës NATO refuzon t’i japë informacionet sekrete të saj, edhe për kundër faktit se Mali i Zi është anëtar i saj? A nuk tregon gjithçka ky refuzim?

Unë e kuptoj vullnetin e mirë të Ramës për një Ballkan që ecë përpara, por vullneti i mirë dhe Beogradi janë dy gjëra që kurrë s’kanë shkuar dhe vazhdojnë të mos shkojnë bashkë. /Lajmi.net/

Comments