Leciplociteti: Serbia eksportoi 92 milionë euro për katër muaj, Kurti thotë se “duhet të përgatitemi mirë për Reciprocitet”
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka vendosur Reciprocitetin ndaj Serbisë edhe pas 135 ditësh në pushtet. Por, çka po i thotë popullit ai për këtë qëndrim të pambajtur?
Kryeministri Kurti duhej të mos vendoste Reciprocitetin me Serbinë në mënyrë që liderët e kësaj të fundit të uleshin me të në tavolinën e negociatave në Bruksel.
Por, ai vazhdon të insistojë se nuk e ka vënë Reciprocitetin shkaku i “mos-përgatitjes”. Para një viti kur ishte në pushtet si prijës i Qeverisë Kurti I, Albin Kurti e kishte vënë masën në fjalë duke e bllokuar procesin e dialogut çka çoi më pas edhe në rrëzimin e koalicionit me LDK-në.
Por, në seancën parlamentare të djeshme, Kurti vazhdoi me insistimin e tij.
“Në këto 100 ditët e para të qeverisjes sime ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi mirë, sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në qeverinë Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, tha Albin Kurti, duke ju përgjigjur kritikave të opozitës se ai ka shkelur premtimin e tij elektoral.
E ndaj kësaj deklarate reagoi drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën dhe Metohinë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Për ta rënduar situatën, del se Kurti nuk guxon as ta përmend premtimin e tij më të shquar elektoral për raportet Kosovë-Serbi.
“Çështja e reciprocitetit është një eufemizëm për ngritjen e barrierave të reja ekonomike, ndaj të cilave serbët në Kosovë dhe Beogradi u ekspozuan gjatë kohëzgjatjes së taksave kundër civilizimit prej 100 për qind.” – deklaroi Petkoviq.
Së fundi, Ministria e Tregtisë ka hequr taksën ndaj bllokave të Serbisë. Kjo ministri udhëhiqet nga znj. Rozeta Hajdari.
Për katër muaj të këtij viti – shkurt, mars, prill dhe maj – Serbia i ka eksportuar në Kosovë mbi 92 milionë euro mallra. /Periskopi

