LIBËR ME EFIÇENCË MULTIPLIKATIVE

930
fresco

Shkruan, Syrja Etemi

D-r. Bekim Ramadani: “Tradicionalnata muziçka kultura na albancite od Dolni Polog” (Kultura muzikore tradicionale e shqiptarëve të Pollogut të Poshtëm)

Me kënaqësi të veçantë, nga autori, D-r. Bekim Ramadani, si dedikim në shenjë miqësie, pranova librin në fjalë dhe, kështu, u bëra “borxhli” që t’i them disa fjalë në këtë kontekst, por gjithnjë i vetëdijshëm se ato vështrime, ato akcente që do t’i shtroj në këtë shkrim, do të jenë nënvizime që bëhen nga një profil prej diletanti në këtë fushë, e, atë që mëtoj ta them, po e bëj duke u prirur nga optika e një entuziasti e pasionanti të përflaktë për muzikën tonë popullore, e, në veçanti – të këngës sonë folklorike. Si do që të jetë, unë do t’i jap vetit mandatin dhe komoditetin për të dhënë pikëvështrimin tim në këtë prizëm.

Këto ditë doli nga botimi libri: “Tradicionalnata muziçka kultura na albancite od Dolni Polog” (Kultura muzikore tradicionale e shqiptarëve të Pollogut të Poshtëm).
Po t’i hidhet një vështrim analitik këtij libri, (i cili është i shkruar në gjuhën maqedone), që nga parathënia apo hyrja, lexuesi fiton përshtypjen imponuese se, i njëjti shquhet, jo vetëm për nga sensi metodologjik shkencor që aplikohet me këtë rast, por, njëkohësisht edhe për nga dimensioni multiplikativ, që nënkupton – përcaktimin hapësinor, përkatësisht kriterin etniko-gjeografik, ku autori ka përfshirë qëmtimin e lirikës tradicionale shqiptare, ashtu sikurse edhe studimin e saj, brenda një hapësirë të caktuar etno-gjeografike, e, që, në këtë rast është rajoni i Pollogut të Poshtëm.
Gjatë analizës më të thuktë brenda materialit të përfshirë në korniza prej 480 faqesh, rishtazi imponohet nevoja të fokusohemi e të kridhemi në shtyllën që e përligjin primesat shkencore, që cekëm më lartë, ku, shihet se, më së pari është bërë regjistrimi i plotë i lëndës muzikore , kryesisht të këngëve folklorike të shqiptarëve të trevës së Pollogut të Poshtëm, të kënduara me nën-dialektin pollnjan, në stilin e muzikës tradicionale shqiptare të kësaj zone (kryesisht: të këndimit bifonik apo dyzërësh); së dyti, pas vjeljes së materialit nga thesari ynë burimor, bëhet sistemimi i tij, sepse, siç shprehet Puankare: “Shkenca ndërtohet prej faktesh, ashtu siç ndërtohet shtëpia prej tullave, por vetëm grumbullimi i fakteve nuk është shkencë, ashtu si nuk është shtëpi vetëm grumbullimi i tullave”. Përveç primesave që i cekëm më lartë, autori kalon në një etapë tjetër, përgjithësisht- kur bën edhe vënien në notë, transkriptimin, notizmin (melogramimin) e këngëve të përzgjedhura, e, me këtë, edhe mbarështrimin e gjithë lëndës muzikore. Ajo që është mjaft indikative në ndërtimin e librit – duhet cekur gjuha në të cilën është shkruar ai, që është gjuha maqedone, fakt ky që është një punë sa e lodhshme po aq edhe e stërmundimshme, por jo e pamundshme, që autori këtë ka arritur ta realizojë në mënyrë të përkryer dhe shumë profesionale, punë të cilën, për aq sa kam unë njohuri, deri më sot nuk e ka realizuar ndonjë studiues në hapësirat tona gjithëkombëtare.
Botimi i këtij libri që përfshin këngë nga melosi ynë folklorik, faktikisht nga muzika jonë tradicionale, ka mbledhur tok në një vend shumë protagonistë e specialistë, si: kompozitorë, studiues e muzicienë, folkloristë e specialistë të talentuar nga RMV, por edhe nga viset tjera gjithandej. Në këtë qerthull, s’duhet të harrojmë për asnjë cast, sidomos muzicienët profesionistë që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre nëpër institucione të ndryshme akademike apo të qendrave të ndryshme të kulturës, e k.m.r. Duke qenë se, në mjaft raste, ata me një përvojë artistike të pasur, kanë ndihmuar në forma të ndryshme, sidomos për kompletimin e librit në fjalë, duke përfshirë 114 këngë nga thesari ynë folklorik e duke i paraqitur ato në pentagram, si që janë këngët e djepit: “Luli-luli nana gjalin”, “Luli, luli-o n’gjep pi druni”, “Xhum, more xhum”, “Ç’i na vejn berberi okolla lëmës”,etj.,madje, këngët:“Ani, m’i kan’ than’ “, “Ani moj ti çiko”, “Hipi gjali në kal’ shale”, etj. Brenda këtyre cikleve përfshihen, madje edhe disa këngë tjera të dashurisë, këngë kurbeti, balada, këngë trimërie, e k.m.r.
Përgjithësisht, libri ndahet në dy pjesë: Pjesa I dhe Pjesa II. Në kuadër të pjesës së parë, jepen karakteristikat gjeografike-historike të regjionit të Pollogut të Poshtëm dhe ndikimet e refleksionet në zhvillimet e folklorit muzikor, madje, duke përfshirë festat dhe ritet që karakterizojnë këtë popullatë. Në këtë vazhdë përfshihen këngët e zhanreve të ndryshme, që përmendëm edhe më sipër, si: këngët që lidhen me ekonominë rurale, këngët e lidhura me ciklusin e riteve e zakoneve; jetës sociale (këngët e lindjes, lojëra të fëmijëve, këngë synetie, këngë dasme, dashurie, erotike, epike, kaçake, nizami…) Pjesa e dytë e librit shquhet me melografimin dhe deshifrimin e këngëve me përkthim në gjuhën maqedone, indikatorë e pasqyra tabelare të melostrofave të këngëve, tregues të ambitusit të melodive në këngë, madje edhe regjistri apo indeksi i këngëve sipas informatorëve, zhanreve, vendeve të regjistruesve, e, për të përfunduar me hartën e regjionit të Pollogut të Poshtëm.
Ky shembull i gjallë, i cili s’ka nevojë për koment, vlen që të ndiqet nga kompozitorë, studiues e muzicienë të tjerë vullnetfortë të mbarë rretheve të vendit, e, pse jo edhe jashta kufijve administrativ.
S’ka dyshim që, dalja në dritë e librit: “Tradicionalnata muziçka kultura na albancite od Dolni Polog” (Kultura muzikore tradicionale e shqiptarëve të Pollogut të Poshtëm)“ ,me një koncipim dhe përfshirje të këtillë të “lëndës së parë” do të jetë e një interesi të veçantë, si për nga inkluzioni dhe mbarështrimi i lëndës muzikore, po ashtu edhe për nga përzgjedhja e zonës, së cilës i takon edhe vet autori, trevë kjo që shquhet jo vetëm me mbushullime folklorike tipike, por edhe me të kënduar me nën-dialekt e me stil e mekam karakteristik, e që krejt kjo kongruencë, do të nxisë, qoftë procesin e shqyrtimit teoriko-shkencor, qoftë atë të përpunimit praktiko-artistik në përgjithësi. Në këtë mënyrë, autori përmes këtij libri, specialistëve të ardhshëm, do t’u hapë rrugën e sigurtë për hartimin e monografive, akoma më inkluzive, ndoshta edhe më të gjëra e të thella shkencore, si edhe veprave muzikore të mëdha profesioniste, përligjia etniko-kombëtare e të cilave do të jepej natyrshëm përmes një materieje muzikore më gjithëpërfshirëse, sepse një zonë të këtillë mjaft specifike paraqet edhe ajo e Pollogut të Epërm me qendër Gostivarin, Zona e Dervenit, e, sidomos treva e Kërçovës me rrethinë. Por, jam tepër i bindur se autori në të ardhmen do ta zgjerojë zonën gjeografike të hulumtimit, dhe do ta plotësojë e do ta përmbush këtë shprazëti imanente që akceptohet apo që e ndjejmë në këtë hapërim. Prandaj, të mos e lëmë Bekimin të vetmuar në këtë pretendim!…

LIBËR ME EFIÇENCË MULTIPLIKATIVEShkruan, Syrja Etemi D-r. Bekim Ramadani: “Tradicionalnata muziçka kultura na…

Gepostet von Syrja Etemi am Samstag, 25. Januar 2020

Comments