Limaj thërret konferencë për media, çka paralajmëroi deputetja e Nismës të mërkurën?

Të enjten nga ora 16:00, një ditë para se të tentohet për herën e 20-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, kreu i Nismës Socialdemokrate, deputeti Fatmir Limaj ka ftuar konferencë për media. Çka pritet të flitet aty?
Në njoftimin e bërë për media, nga Nisma nuk kanë treguar se për çka do të flasë kreu i kësaj partie. Megjithatë, disa paralajmërime i bëri të mërkurën deputetja Xhevahire Izmaku.
Para gazetarëve, ajo deklaroi se do të ketë një deklaratë që do të përfshijë “diçka më shumë, më konkrete”.
“Nuk ka ndonjë ndryshim apo vendimmarrje të re, po presim që brenda diskutimeve të brendshme tona politike me pasë ndonjë deklaratë në të ardhmen që ka me përfshi diçka pak më shumë, më konkrete” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Izmaku të mërkurën foli edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit në largim, Albin Kurti, i cili tha se nga Nisma Socialdemokrate u është kërkuar posti i kryeparlamentarit, gjë e cila edhe po e mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke marrë parasysh se partitë opozitare nuk po e votojnë Albulena Haxhiun.
“Diskutimet e brendshme vazhdojnë, brenda subjektit tonë politik, për këto çështje besoj që do të keni një deklaratë më të përgjithshme nga z.Limaj në ditët në vazhdim. Sa i përket çështjes së numrave, unë personalisht e konsideroj që nuk e kanë përcaktu gjithmonë numrat rëndësinë, por peshën që ka një lider”.
“Këtu dihet që z.Limaj ka dhënë një kontribut të çmueshëm, si gjatë çlirimit të vendit po ashtu edhe bë çështjet kyçe te krijimit të institucioneve, pra z.Limaj kish me përfaqësu shumë mirë të gjitha këto kritere, sepse njihet si autoritet përafrues në skenën politike” – tha ajo, transmeton Nacionale.

Nesër, hera e 20-të
Nuk dihet nëse Limaj do të ndryshojë qëndrim për emrin e kryeparlamentarit, duke marrë parasysh se deri më tani nuk kanë marrë pjesë në votim.
Megjithatë, të mërkurën dështoi edhe përpjekja e 19-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të premten në orën 11:00.
Në anën tjetër, kreu i VV-së ka bërë me dije se nuk lëshon pe në lidhje me propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Në një intervistë për RTK-në, Kurti ka thënë se nuk e lejon Haxhiun që të tërhiqet nga gara.
“Ne nuk lejojmë të shkelet gruaja më e votuar e legjislaturës së nëntë. Ne nuk po i kontestojmë propozimet e të tjerëve. Ne nuk po kërkojmë që propozimi ynë të bëhet i tyre. Unë besoj se duhet të respektohet propozimi i subjektit” – tha ai.