Lista zgjedhore, “Besa”: Po përgatitet manipulim i zgjedhjeve

84
“Në komunat e banuara me shqiptarë, ku ka rritje të vazhdueshme të popullsisë, në listat zgjedhore vërejmë rënie të numrit të votuesve. Në komuna vetëm me popullatë maqedonase, edhe përskaj mortalitetit në rritje, lista zgjedhore nuk pëson rënie, përkundrazi, shtohet çdo vit e më tepër”,– thonë nga Lëvizja “Besa”, sipas të cilës këto tendenca janë në kundërshtim të plotë jo vetëm me rregullat bazë statistikore, por edhe me logjikën e shëndoshë.
“Me çdo cikël të ri zgjedhor duhet të kemi rritje të numrit të votuesve aty ku ka natalitet më të lartë, në këtë rast të numrit të votuesve shqiptarë, kjo për shkakun se një numër i madh i të rinjve e kalojnë moshën 18 vjeçare dhe fitojnë të drejtën e votës. Mirëpo në Maqedoni po ndodh e kundërta, dhe kjo na detyron të dyshojmë se po përgatitet manipulim i zgjedhjeve të ardhshme”– thonë nga “Besa”.
“Misioni që kemi marrë në skenën politike na obligon që të angazhojmë të gjitha kapacitetet që i posedojmë për të penguar zhvleftësimin e votës shqiptare karshi asaj maqedonase. Ata që kanë bë skenarë për të manipuluar votën shqiptare, kushdo që të jenë ata, më 11 dhjetor do të binden se Lëvizja “Besa” nuk do të lejojë diçka të tillë”,- u shpreh Blerim Sejdiu nga Lëvizja “Besa”.
Për këtë dukuri nga Lëvizja “Besa” thonë se do të njoftojnë përfaqësitë diplomatike në Shkup, misionin e OSBE/ODIHR, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe vendore që monitorojnë zgjedhjet.
Comments